E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia në grevë, Plani Afatmesëm në Parlament

ATHINE- Sot gjithë Greqia është gdhirë në grevë. Punonjësit e sektorit privat dhe shtetëror nuk do të punojnë për 48 orë, në shenjë proteste kundër planit Afatmesëm të qeverisë.

Në grevën që vazhdon edhe nesër, marrin pjesë edhe punonjësit e sektorit të transportit, porteve dhe aeroporteve. Do të ndalojë fluturimi i avionëve nga ora 8-12 paradite dhe 18-22 00 në mbrëmje. Me ta do të bashkohen edhe punonjësit e spitaleve, qendrave shëndetësore, etj.

Qytetarët do të marshojnë sot dhe nesër në Athinë dhe nëpër qytete të tjera. Konfederata e Përgjithshme e profesionistëve, zejtarëve dhe tregtarëve të Greqisë tha në një deklaratë, tha se edhe ajo do të marrë pjesë në demonstrata kundër planit afatmesëm.

Kjo është dita e parë e protestës së madhe organizuar nga sindikatat greke, të cilat do të bashkohen me “Qytetarët e zemëruar” në shesh për të rrethuar parlamentin, nesër kur pritet votimi i planit afatmesëm me masat shtrënguese ekonomike.

Por ndërkohë që qytetarët kundërshtojnë me protesta këtë plan, ai është kushti që i është vënë qeverisë Papandreu, në këmbim të lëvrimit të këstit të pestë të ndihmës prej 12 miliardë euro.

Opozita e kundërshton këtë plan dhe asaj i janë bashkuar edhe disa deputetë të PASOK, ndaj kryeministri pret të sigurojë mbështetjen për kalimin e këtij plani, me një shumicë tepër të brishtë.

Plani afatmesëm aq i përfolur e që ka shkaktuar kaq shumë reagime, përfshin masa drastike financiare për qytetarët, të cilët me zbatimin e tij, do të paguajnë taksa më të larta, do të kenë shkurtime pagash e pensionesh etj.

Projekti parashikon 28,6 miliardë euro kursime buxhetore në periudhën 2012- 2015, të shoqëruara nga një plan privatizimesh me shumën 50 miliardë euro, që do të ndikojë në zvogëlimin e borxhit.

Edhe vetë kryeministri Papandreu e ka pranuar se këto masa janë tepër të dhimbshme për popullin, por se nëse ato nuk zbatohen, vendi nuk ka rrugë tjetër vecse falimentimin. Ministrat e financave të Eurozonës i kanë thënë hapur Athinës se pa këtë plan të miratuar nuk do të marrë 12 miliardët e ndihmës e për pasojë nuk do të ketë mundësi pagesash në vijim.

Ndërkaq e përditshmja greke “Ta Nea” shkruan sot se evropianët kanë një "plan B" në qoftë se Plani i masave nuk miratohet nga Parlamenti grek. Sipas gazetës e cila i referohet Rojters, BE është e përgatitur për një ngjarje të tillë dhe ka gati një plan për të shmangur një falimentim të mundshëm nëse Greqia nuk plotëson kushtin për këstin e ardhshëm prej 12 miliardë euro.Thuhet se plani është diskutuar edhe në takimin Eurogrupit në Luksemburg më 19 dhe 20 qershor. Më parë «Financial Times Deutschland» kishte shkruar se BE-ja është përgatitur për çdo eventualitet, madje edhe për të hedhur poshtë masat e reja shtrënguese.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›