E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia sharron gjithnjë e thellë në recesion

Athinë, 14 gusht – Ekonomia greke po përjeton recesion më të rëndë nga ai i pritur, me gjithë masat rigoroze të kursimit që ka ndërmarrë qeveria e Jorgos Papandreut. Enti kombëtar i statistikave kumtoi se tendenca e rënies është shpejtuar në tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor), pasi janë zvogëluar rrogat e pensionet, si dhe për arsye të rritjes së tatimeve, gjë që ka rrëzuar kërkesat për mallra të konsumit të gjerë.
Ekzistojnë paralajmërime se kriza ekonomike do të mund të shkaktonte trazira të reja sociale, pas ngritjes rekorde të papunësisë. Enti statistikor grek ELSTAT ka vlerësuar se në tremujorin e dytë të vitit prodhimi i përgjithshëm bruto (GDP) ka rënë për 1.5 për qind, që do të thotë se ai është 3.5 për qind më i ulët se sa vitin e kaluar. Kjo paraqet rënie drastike krahasuar edhe me parashikimet e ekspertëve, raporton agjencia Reuters.
Ekonomistët parashikojnë se ekonomia greke nuk do të mund të këndellet në një të ardhme të afërt, sepse masat e kursimit godasin edhe konsumatorët e ndërmarrjet.  Shtrëngimi i rripit dhe ulja e konsumit në sektorin publik patën për pasojë rritjen rekorde të papunësisë në muajin maj. Papunësia shkoi në mbi 12 për qind, nga 8.5 sa ishte në vitin 2009. në Greqi momentalisht janë të papunë mbi 602 mijë persona të moshës aktive. Më së shumti të papunë ka në mesin e të rinjve (nga 15-24 vjet), ku shkalla e papunësisë ka hipur në 32.5 për qind.
Njëkohësisht, vendet anëtare të BE-së kanë zvogëluar për 4 miliardë euro buxhetet e veta të propozuara për ndihmë Greqisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›