E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia formon flotë, shfrytëzohet porti i Durrësit

Shkup, 14 gusht - Së shpejti anijet nën flamurin e Maqedonisë do të lundrojnë në të gjitha detet dhe oqeanet në botë. Muaj pasi qeveria e Maqedonisë mori vendimin për formimin e flotës tregtare detare, burimet nga ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se grupi i punës tashmë po punon në formimin e regjistrit të anijeve që do të lundrojnë nëpër botë me flamurin e Maqedonisë. Oficerët turq të lundrimit, të cilët para disa muajsh qëndruan në Maqedoni, ofruan mbështetje në pajisje dhe kuadro. Propozuan që anijet e Maqedonisë ta shfrytëzojnë portin e Stambollit. Por, gjithashtu po  shqyrtohet edhe mundësia që ai të jetë porti shqiptar i Durrësit. Porti i Selanikut nuk përmendet. Profesori i ekonomisë, Mirko Tripunovski thotë se bëhet fjalë për investim të levërdishëm.
“Maqedonia duhet të fillojë dhe ta realizojë këtë detyrë sa më shpejtë. Selaniku është destinacioni më i afër dhe në pjesën e transportit më i lirë. Mirëpo, si vend i zhvilluar në trafikun detar është me elemente të shtrenjta, që e rrisin çmimin në pjesën e organizimit. Konsideroj se Shqipëria është në vendin e parë. Shqipëria është rruga më e shkurtër ”, tha  Mirko Tripunovski, profesor i ekonomisë.
Megjithatë, kompetentët thonë se duhet të mendohet mirë para se të fillojë puna në teren.
“Shumë anije në botë për shembull lundrojnë nën flamurin e Panamasë ose Liberisë, ndoshta duhet të provohet. Më e levërdishme është të provohet me portin e Durrësit, që nuk është aq frekuentues sikurse ai në Stamboll. Problemi është se nga Stambolli deri në Maqedoni largësia është 800 km, kurse Durrësi është vetëm 150 km dhe ky është element shumë thelbor ”, deklaroi  Goran Ustianoski , toger i lundrimit:
Televizioni Alsat kontaktoi edhe me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve të Shqipërisë, Sokol Olldashi. Ai shpjegoi se deri më tash me palën maqedonase nuk është biseduar për  këtë çështje.
“Shumë transportues të Maqedonisë përdorin tashmë portin e Durrësit për të kryer transportet për në vendet e BE-së. Nuk ka ndonjë bisedë konkret për çështjen e flotës, e vetmja marrëveshje konkrete që është arritur për të pasur problemin e rregullimit të liqenit të Ohrit mes  dy brigjeve, ndërsa sa i përket flotës tregtare të Maqedonisë, nuk ka, të paktën në nivelin e ministrive të transporteve nuk ka ndonjë diskutim konkret”, tha   Olldashi.
Sipas planit të qeverisë, flota do të formohej në bazë të partneritetit publiko – privat, kurse në fillim do të kishte deri në 10 anije. Jo zyrtarisht, Holanda përmendet si vend prej ku do të huazoheshin anijet, por gatishmëri ka shprehur edhe Greqia.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›