Greva e ish të përdjekurve, AI thirrje qeverisë për dialog

Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International i bëri thirrje sot qeverisë shqiptare të takohet me grevistët për të vendsour dialogun dhe për të zgjidhur shqetesimet e tyre. Këtë thirrje Amnesty International e bëri para pak çastesh përmes një deklarate.
Ish të përndjekurit politik kanë hyrë sot në ditën e 25-të të grevës së urisë, ndërsa nata e shkuar ka qenë shumë e vështirë për ta për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Pas daljes së një tjetër grevisti një ditë më parë, tashmë janë vetëm 7 ish të burgosur politik të cilët po vazhdojnë grevën në çadra.
Po sot Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore thirri në një seancë dëgjimore ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi për të raportuar lidhur me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, seancë kjo e cila erdhi pas një kërkesë të deputetëve të Partisë Socialiste.
Ndërsa ka raportuar situatën e dëmshpërblimit për këtë shtresë të shoqërisë, Ministri Halimi tha se gjatë kësaj kohe kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit 11 759 ish të përndjekur, ndërsa është dhënë kësti i dytë për ata të cilët janë mbi 65 vjeç.
Pas raportimit të situatës, deputetët e opozitës , të cilët e thirrën në seancë dëgjimore ministrin e drejtësisë nuk kanë bërë asnjë pyetje sa i përket këtij raporti.