Greva e paralajmëruar: Në Shqipëri ka aparteid politik
Dëshmshpërblimet, arsyeja që i shtyn ish-të persekutuarit drejt protestës
Çfarë i detyroi të futeshin pak muaj më parë në grevë urie në Tiranë e tani drejt grevës së paparë të urisë në Bruksel? Ja si u shprehën pak ditë më parë për "Shekullin' disa prej ish-të persekutuarve, që tani kanë vendosur pa kthim realizimin e kauzës së tyre dhe jo vetëm të tyres:
Gjergj Ndreca: "Kërkojmë të dëmshpërblehemi sipas ligjeve dhe Kushtetutës. Ne sot kemi humbur statusin e qytetarëve normalë. Nuk jemi as qytetarë të dorës së tretë apo të katërt dhe ky është përsëri një aparteid politik. Ne nuk duam lëmoshë, por rehabilitim, integrim dhe drejtësi me dinjitet.
Ka katër ligje në fuqi për dëmshpërblimet dhe për ne është miratuar ligji që jep vlerën më të vogël, që llogarit punën e detyruar në burg, por jo dhunën, torturat, mungesën e lirisë dhe dinjitetit.
Është dëmshpërblyer më shumë Fatos Nano e të tjerë byroistë këto kohë, se sa ne që kemi bërë burg në kohë më të vështira. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, na premtoi që çdo një muaj do të dilnin një mijë emra dhe një listë e saktë e të persekutuarve, por kanë kaluar 3 muaj nuk është bërë asgjë. Ne kemi shokët tanë që kanë bërë nga 30 vjet burg e kanë me dhjetëra të pushkatuar në familje dhe nuk kanë marrë kokërr leku e janë duke vdekur në mjerim.
Ndërsa gjithë fëmijët e ish-byroistëve si pasardhësit e Feçor Shehut, Mehmet Shehut etj. kanë marrë. Në këtë vend mjafton të jesh ish-komunist spiun, servil dhe gojëkyçur dhe të hapen dyert. Ndërsa kur vdes një nga ne gëzojnë se thonë: 'vdiq dhe një armik'.
Fatmir Lamaj - Ne duam ta marrim brenda vitit dëmshpërblimin që na takon, jo në tetë vjet, sepse jemi specie në zhdukje. Kemi qenë rreth 6000 ish-të përndjekur në vitin '90, sot kemi mbetur 1800. Të tjerët kanë vdekur. Dhe imagjinoni, ka tre vjet që ka dalë ligji dhe nuk ka mbaruar së dhëni akoma kësti i parë.
Po marrin inkuzitorët tanë nga 30.000 lekë pension. Merr ish-prokurori famëkeq Aranit Çela pension të posaçëm prej afërsisht 75.000 lekë në muaj. Ndërsa ne, të vuajturit edhe në pseudodemokraci marrim nga 15.000 lekë/muaj.
Më mirë të kërkojmë strehim politik në Korenë e Veriut, se sa në një neokomunizëm hipokrit si ky shqiptar. Ne gjendemi vazhdimisht nën opiumin e gënjeshtrave të qeverisë në pushtet. Nëse hapet toka e këtij vendi nga Saranda në Tropojë gjen kockat tona. Por ne nuk morëm asgjë që meritonim. Na drejtojnë akoma vrasësit tanë.
Nuk është e habitshme që në çdo zyrë të shtetit shqiptar janë ose ish-zyrtarët e kohës ose pinjollët e tyre. Nuk është habi që edhe ata pak ish-të persekutuar që punësoi zoti Berisha në fillim të ardhjes në pushtet për imazhin e tij, tani janë pushuar nga puna në administratën e lartë