Sondazhi / Dy në tre studentë e paguajnë notën
Këshilli Kombëtar Studentor: 17 % e studentëve e konsiderojnë Arsimin e Lartë shumë të korruptuar
78 % e studentëve pohojnë se kanë zgjidhur problemet në fakultete nëpërmjet ryshfetit
Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Këshilli Kombëtar Studentor publikon të dhënat e marra nga anketimi i studentëve të arsimit të lartë publik. Përfundimet janë alarmante, pasi, sipas të dhënave të këtij këshilli, dy në tre studentë pohon se ka paguar të paktën një herë gjatë studimeve për të marrë notë kaluese.
Ky studim vjen i prezantuar në kuadër të "Rrjeti i Studentëve kundër Korrupsionit", i cili në fazat e mëtejshme do të përfshijë të gjithë universitetet publike e do të përmbyllet me një raport kombëtar mbi korrupsionin në arsimin e lartë.
Ky punim paraqet rezultatet e sondazhit të dhjetorit 2010, të kryer me studentët e universiteteve publike në një kampion prej 1500 studentësh që i përkasin grupmoshës 18-26 vjeç. Puna më tej do të vazhdojë me raportime periodike të anketimeve që do të shtrihen në 10 universitete publike, në Tiranë dhe Elbasan.
Korrupsioni
Perceptimi mbi korrupsionin në universitet publike, sipas këtij raporti, është i lartë. Nga të 1500 studentët e Universiteteve Publike të anketuar në fazën e parë të sondazhit, 17 % prej tyre e konsiderojnë arsimin e lartë publik si shumë të korruptuar.
Kurse një pjesë më e madhe rreth 68% pohojnë se kanë paguar të paktën një herë ryshfet gjatë kohës së studimeve. Akoma dhe më i lartë është numri i studentëve që pohojnë se kanë zgjidhur problemet në fakultete nëpërmjet ryshfetit.
Ku, sipas të dhënave të KKS-së, ky numër është rreth 78 %. Por ka edhe një pjesë të studentëve që pohojnë se nuk janë përballur asnjë herë me këtë fenomen, rreth 32 % e të anketuarve thonë se s'kanë paguar asnjëherë ryshfet apo janë vënë nën presion nga pedagogët.
Në tërësi, sipas këtij sondazhi, studentët shqiptarë mendojnë se vetë institucionet e arsimit të lartë publik nuk janë duke bërë punë të mjaftueshme kundër korrupsionit, ku rreth 74 % e të anketuarve shprehen se institucionet ku ata studiojnë nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtimi. Pothuajse gjysma ë të anketuarve shprehen se media luan rol të rëndësishëm në denoncimin dhe luftimin e këtij fenomeni.
Besimi
Besimi i studentëve në institucione vazhdon të mbetet i ulët. Mesatarisht niveli i besimit është i theksuar ndërmjet studentëve, të cilët kanë denoncuar një rast korruptiv ndaj atyre që se kanë denoncuar këtë fenomen.
Nga ku 26.4 % të studentëve të përfshirë në anketë kanë "denoncuar" këtë fenomen pranë drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa 60.6 % nuk kanë "denoncuar" asnjëherë ryshfetin e paguar duke mos pasur besimin në stafet drejtuese apo në ndëshkimin që duhet dhënë. Studentët i perceptojnë institucionet si jotransparente.
Asnjë nga institucionet e vlerësuara nuk ka marrë më shumë se 7 pikë në shkallën nga 0-10, ku 0 do të thotë "Aspak transparent" dhe 10 do të thotë "Shumë transparent". Sipas studentëve, institucioni më transparent është Rektorati me 7 pikë, me 4 pikë renditet stafi akademik dhe me 0 pikë renditet administrata, e cila drejton universitetet.
Rreth 78 % e studentëve pohojnë se kanë zgjidhur problemet në fakultete nëpërmjet ryshfetit
32 % e të anketuarve thonë se s'kanë paguar asnjëherë ryshfet apo janë vënë nën presion nga pedagogët
17 % prej tyre e konsiderojnë arsimin e lartë publik si shumë të korruptuar
26.4 % të studentëve të përfshirë në anketë e kanë denoncuar korrupsionin pranë drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë