Greva në burgje, mbi 500 të burgosur refuzojnë ushqimin
Greva e urisë në burgje ka marrë përmasa shqetësuese. Panorama raporton se janë mbi 500 të burgosur që kanë refuzuar ushqimin.
Burgjeve të Shënkollit, Fushë Krujës dhe Peqinit i janë bashkuar edhe burgu i Drenovës në Korçë dhe burgu i Rrogozhinës.
Të burgosurit thonë se do e përshkallëzojnë protestën e tyre, pasi deri më tani kanë vepruar në mënyrë paqësore, duke respektuar rregulloren e burgut.
Shkak për protestën e tyre është bërë amnistia e qeverisë.
Të burgosurit kërkojnë që vitet e falura të mos jenë një, por dy.
Ata kërkojnë edhe zgjerimin e listës së veprave penale të cilat përfitojnë falje. Sipas tyre, falen ata që kanë bërë plagosje të rënda me dashje, por nuk falen ata që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Të burgosurit kërkojnë edhe të drejtën e lirimit me kusht pas kryerjes së tre të katërtave të dënimit.
Po ashtu ata duan edhe aplikimin e shërbimit të provës për disa kategori të dënuarish.