E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevë urie e ish UÇK-së për të kërkuar kushte më të mira jetese

Në tendat e vendosura para ndërtesës së qeverisë, ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës janë hedhur në grevë urie për të kërkuar përmirësimin e kushteve të jetës së tyre. Xhevdet Qeriqi, udhëheqës i Këshillit Grevist, thotë se kërkesa themelore e ish ushtarëve të UÇK-së është respektimi i vlerave të luftës.

Si invalid i luftës, ai thotë se jeton me një ndihmë sociale prej 72 eurosh në muaj, ndihmë kjo shumë e vogël që i jepet atij dhe shokëve të tij. Ai thotë se veteranët dhe invalidët e luftës janë ndër kategoritë më të rrezikuara në Kosovë.

"Kërkesat tona janë: mbrojtja me ligj e këtyre kategorive dhe implementimi i tij në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes; ngritja e pensioneve për invalidët dhe familjarët e dëshmorëve; shërimi i invalidëve jashtë vendit; zgjidhja e banimit të të gjitha kategorive; punësimi i veteranëve ose përfshirja në asistencë sociale deri sa të punësohen; lirimi i të gjitha shërbimeve shëndetësore, i tatimit në pronë, doganave dhe të gjitha shërbimeve të dokumentacionit, lirimi nga rryma, uji, transporti etj; shkollimi pa pagesë i këtyre kategorive; pajisjet e invalidëve në gjendje të rëndë me mjete të nevojshme për lehtësimin e qarkullimit të tyre…”.

Ish pjesëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thonë se pa realizimin e të gjitha kërkesave, duke u nisur nga zbatimi i Ligjit për Vlerat e Luftës së UÇK-së, nuk do ta ndërpresin grevën.
Ligjit për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së zbatohet pjesërisht në Kosovë. Pas miratimit të tij në parlament në vitin 2006, ai u ndryshua në disa pjesë nga administrata e Kombeve të Bashkuara.

Ish pjesëtarët e UÇK-së kërkojnë zbatimin në tërësi të ligjit ashtu siç ishte miratuar fillimisht nga Parlamenti. Qeveria, thotë ndërkaq se ka filluar procesin e plotësimit të ligjit. Udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në zyrën e kryeministrit, Faik Fazliu, thotë se tërë procesi po zhvillohet në bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

"Deri më tani në Kosovë është zbatuar ligji ku familjet e dëshmorëve marrin 235 euro në muaj, e që është mbi pagën mesatare në Kosovë. Invalidët e luftës marrin duke filluar nga 70 euro që është shkalla ma e ultë e deri në 180 euro shkalla më e lartë, kështu që Qeveria është e angazhuar që ligji në të ardhmen të zbatohet në tërësi”.

Kërkesat e ish pjesëtarëve të UÇK -së janë mbështetur edhe nga organizatat humanitare në Kosovë të cilat kërkojnë trajtim më të mirë të veteranëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta.    (ze)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›