E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët u shkruajnë letër institucioneve

Grevistët Blerim Muriqi, Xhemë Xhura, Ibrahim Kelmendi, të cilët po solidarizohen me ish- komandantët e UÇK-së të paraburgosur padrejtësisht, sot i kanë dorëzuar një letër drejtuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Sot i dorëzuam kryetarit të Kuvendi të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, kryeministrit Hashim Thaçi, kryetarit të Gjykatës Supreme dhe shefit të EULEX-it lutjet tona të sublimuar gjatë këtyre dhjetë ditëve. Po vetëkuptohet, i dorëzuam protokolleve të tyre. Në aneks të lutjeve tona kemi bashkangjitur edhe prononcimet publike gjatë grevës, letrën protestuese të intelektualëve të shquar të Tiranës dhe përkrahësve të luftës çlirimtare të UÇK-së, si arsyetim i lutjeve tona, meqë nuk kishim fuqi fizike për t’i arsyetuar lutjet tona”, është thënë në një njoftim nga grevistët.

Grevistët kanë bërë me dije se vazhdojmë të qëndrojmë në grevë, duke u solidarizuar me komandantët e paraburgosur padrejtësisht. “Kërkojmë mirëkuptim nga ata që po kërkojnë të na bashkangjitën, por që ne nuk po i pranojmë. Kërkojmë mirëkuptim nga ata që po na lusin ta ndërpresim grevën...”, është thënë në një njoftim publik të nënshkruar nga grevistët: Blerim Muriqi, Xhemë Xhura, Ibrahim Kelmendi.

Po ashtu në këtë adresim publik është bërë me dije se fatkeqësisht grevisti Murat Bajrami është detyrohet të ndërpresë grevë, për shkak të gjendjes tepër të rënduar shëndetësore.

“Mbrëmë, rreth orës 23:30 urgjenca e mori dhe i bëri trajtim mjekësor me infuzione, duke i sugjeruar që ta ndërpres grevën e urisë. Edhe ne bashkëgrevistët e lutëm që të ndërpriste grevën, meqë ai insistonte për ta vazhduar në atë gjendje të rëndë. U mirëkuptuam dhe ndërpreu. E falënderojmë dhe i urojmë rehabilitim sa më të shpejtë”, është thënë në këtë njoftim./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›