Gripi i derrit, ISHP: Priten përgjigjet për 5 raste të dyshuara
TIRANË- Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë pret përgjigjen e analizave për 5 raste të dyshuara, që pritet të mbërrijnë nga laboratori i Referencës në Rumani.
Lajmin e ka bërë me dije sot, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, e cil sqaroi se numri i mostrave të marra për t'u analizuar deri dje në darkë arrin në 193.
"Mostrat janë marrë nga spitalet në Tiranë, Spitali Infektiv, Pediatrik, si dhe Pneumofiziatrik në Qendrën Spitalore Universitare 'Nënë Tereza' në Tiranë, poliklinikat, si dhe nga spitali rajonal në Vlorë, Sarandë, Shkodër, Lushnje, Durrës, Devoll".
Pjesa më e madhe rasteve referojnë udhëtime jashtë vendit, ndërsa një pjesë e vogël e tyre kanë treguar se nuk kanë qenë jashtë vendit.
Për sa i përket grupmoshave, në përgjithësi rastet e konfirmuara janë nga mosha 20-41 vjeç, ndërsa rastet e mundshme nga 16-23 vjeç. "Është një lloj prirje që vihet re dhe në vende të tjera, ndërsa sëmundje shoqëruese nuk kanë pasur", tha Bino, duke shtuar se
rastet e konfirmuara janë ato që plotësojnë përkufizimin e rastit që kanë të gjitha shenjat klinike dhe kanë lidhje epidemiologjike apo jo, dhe janë të konfirmuara në laboratorin e references. Ndërsa, rastet e mundshme janë ato që përmbushin përkufizimin klinik, por janë konfirmuar me virusin A në vendin tonë.
ISHP do të informojë publikun dy herë në javë, nëpërmjet buletinit epidemiologjik, mbi qarkullimin e virusit të gripit në Shqipëri dhe pasojat që mund të shkaktojë ky lloj gripi pandemik. Buletini paraqet prirjen për infeksione respiratore akute në përgjithësi në vend. Sipas specialistëve të ISHP-së, kjo prirje është e ngjashme me vitin e kaluar dhe nuk ka tendencë në rritje, gjë që nuk flet për shpërthim komunitar apo epidemik të gripit në vend.
ISHP analizon minimalisht rreth 30 mostra në javë, por në disa raste ka arritur dhe në 70 të tilla në javë, pavarësisht se rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është analizimi i 10 rasteve. Specialistët e ISHP-së thonë që "po merret dhe analizohet kjo sasi më e madhe mostrash, me qëllim analizimin e përhapjes së këtij infeksioni në vendin tone".
Pas analizimit në laboratorin e ISHP-së, ato dërgohen 2 herë në javë në Laboratori n e Referencës në Rumani.
***********************
OBSH: Gripi do prekë 2 miliardë njerëz. Tiranë, 25 raste të dyshuara
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se virusi H1N1 i gripit të derrave mund të infektojë deri në 2 miliardë vetë gjatë dy vjetëve të ardhshëm, rreth një ndër tre vetë në botë.
Një zyrtar i lartë për agjencinë e Kombeve të Bashkuara, Keixhi Fukuda tha dje se OBSH-ja ka njoftuar deri tani vetëm raste të konfirmuara në laborator, por ato janë vetëm një fraksion i numrit të përgjithshëm i infektimeve nga gripi i derrave. Fukuda tha se epidemia globale është ende në fazat e hershme.
Në një raport tjetër të OBSH-së thuhet se virusi është përhapur në pothuajse gjithë vendet e botës, duke shkaktuar 800 të vdekur që nga muaji prill.
Në Shtetet e Bashkuara, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve llogarisin se deri në 40 për qind e amerikanëve mund të preken nga gripi i derrave gjatë dy viteve të ardhshme. Nëse nuk zbulohet një vaksinë efektive për gripin e derrave, ekspertët e qeverisë amerikane thonë se deri në disa qindra mijë vetë mund të vdesin në gjithë vendin.
*************
Ne Tirane nderkohe, paniku i gripit të derrit ka shtuar fluksin e vizitave në poliklinika dhe spitalet e vendit. Lajmi konfirmohet nga mjekët e familjes, të cilët pranojnë se së fundi kanë pasur numër shumë më të lartë vizitash se në ditët e zakonshme, kohë kur në vendin tonë ende nuk ishte konfirmuar rasti i parë i pacientit me virusin A/H1N1.
Ndërkohë, burimet zyrtare pranë Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se janë duke u përpunuar analizat për 20-25 raste të dyshuara.
Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, mes këtyre personave mendohet të jenë prekur nga virusi tre prej tyre. Analizat paraprake kanë treguar se këta persona janë prekur nga virusi i gripit A, ndërsa pritet të konfirmohet nëse janë prekur apo jo nga nëntipi H1N1.
"Jemi duke përpunuar 20-25 raste të dyshuara, mostra të marra nga Tirana dhe rrethet e tjera, në të cilët kemi identifikuar disa raste me grip që mund të jetë gripi i ri pandemik",ka thënë Ylli.
******************************
Shtohen rastet me gripin e derri. Mberrin tamifluja
TIRANË(UPDATE)- Tre raste të reja dyshohet se do i shtohen numrit aktual të personave të prekur nga gripi i derrit në vendin tonë. Sipas Instututit të Shëndetit Publik, analizat e bëra këtu dyshojnë për tre pacientë të tjerë të prekur, por përgjigja përfundimtare pritet të mbërrijë nga laboratori i referencës në Rumani.
Ndërkohë, në Institutin e Shëndetit Publik mbërriti sot sasia e parë e medikamentit "Tamiflu", antivirali me të cilin duhet të trajtohet një pacient nëse preket nga virusi A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit. Sipas drejtorit të ISHP-së, Alban Ylli, kanë mbërritur rreth 1200 kura "Tamiflu", që do të shërbejnë për trajtimin e personave të prekur me virusin A (H1N1). Pas kësaj, shumë shpejt do të vijë dhe një sasi tjetër, më e madhe, prej rreth 10-15 mijë kura, e mjaftueshme për të përballuar valën e gripit të ri pandemik, deri në sezonin e dimrit.
Ylli këshillon të gjithë qytetarët të mos blejnë vetë në farmaci medikamentin "Tamiflu", sepse nuk është e shëndetshme dhe sepse në farmaci ka një kosto jo të papërfillshme për qytetarët. "Shëndetësia shqiptare është e përgatitur ta ofrojë falas këtë preparat për të gjithë ata që kanë nevojë në të gjithë spitalet rajonale", tha Ylli.
Ai ka sqaruar se tamifluja është medikament i fortë dhe ka efekte anësore dhe kësisoj duhet të përdoret vetëm me rekomandimin e mjekut. Medikamentet si Tamiflu dhe Zanamaviri (Relenza) nuk përdoren dhe nuk kanë efekt parandalues. Ato përdoren vetëm nëse jemi të sëmurë me gripin A/H1N1 dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.
Deri tani janë të konfirmuar 4 raste të prekur nga virusi i gripit A (H1N1), 3 prej të cilëve shtetas të huaj, me profesion marinarë. Shtetasit e huaj, 2 filipinas dhe 1 rumun, pas ndihmës mjekësore në spitalin e Durrësit, tashmë janë larguar nga Shqipëria.
Rasti i parë i prekur nga virusi A (H1N1) në Shqipëri, një student nga Gjirokastra, u konfirmua në fillim të kësaj jave nga Instituti i Shëndetit Publik, pasi analizat e kryera në Rumani treguan se i riu ishte prekur nga një formë e lehtë e virusit.
**********************************************************
23 korrik
Gripi, Berisha: Jo dramatizimit, do blejmë tamiflu dhe vaksina
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp për të qetësuar popullatën tashmë që gripi i derrave njeh çdo ditë raste të reja në vendin tonë. "Nuk ka nevojë të dramatizohet situata, gjithçka është nën kontroll dhe qeveria ime zotohet se do të blejë me mijëra tamiflu dhe kur të dalë vaksina do të blejmë gjithë dozat e nevojshme", tha Kryeministri.
Sipas tij, gripi përhapet shpejt por është në forma të lehta siç shihet edhe nga rastet nëpër botë ai nuk është agresiv. "Mua më kanë informuar strukturat shëndetësore ashtu si edhe ju, për katër të prekur me këtë grip, por theksoj se edhe shumë të tjerë mund të jenë duke e kaluar në shtëpi në forma më të lehta, pasi A/H1N1 është viral dhe përhapet me shpejtësi", tha Berisha.
Lidhur me vaksinen antigrip, ai tha se "po bëhen përpjekeje për prodhimin e vaksinës, provat e para janë bërë në Australi por besohet se do të jenë të gatshme nga shtatori". Ndersa per medikamentin kurues tamiflu Berisha u shpreh se "ne disponojmë mijëra doza tamiflu. Natyrisht qeveria është e gatshme të importojë sasinë e nevojshme të tamiflusë, që do ti duhet për të kuruar të sëmurët".
Kryeministri ka nënvizuar faktin se gripi i derrave është shumë larg viruseve të rrezikshëm që kanë ndodhur në të kaluarën dhe si rezultat nuk ka arsye për dramatizimin e situatës.
Berisha ka përgëzuar autoritetet shëndetësore për marrjen e masave dhe për ndjekjen me vëmendje të përhapjes së virusit A/H1N1, ndërkohë që ka pohuar se rastet e prekura mund të jenë më tepër se 4 për shkak të përhapjes së pashmangshme dhe të formës së zbutur të gripit.
Ministrja Godo në Durrës: 8 të dyshuar me A/H1N1 në spital
ora 12:20
DURRËS- Një ditë pas analizave të 3 marinarëve që rezultuan me A/H1N1, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka vizituar portin e Durrësit dhe spitalin e këtij qyteti, dy pikat e kontaktit të të infektuarve. Godo tha janë edhe 8 raste të tjera të dyshuara në këtë qytet. "Autoritetet shëndetësore në Durrës kane investiguar 8 raste te dyshuara si mbartës të virusit A/H1N1. Këto pacientë janë të shtruar në repartin e infektivit", u shpreh ministrja. Sipas saj, ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa priten përgjigjet e analizave për personat e dyshuar.
Ndërkohë sot është publikuar edhe raporti i kapitenit të anijes me të cilën erdhën marinarët e sëmurë me gripin e derrave. "Pas simptomave të shfaqura menjëherë është bërë kontrolli mjekësor në repartin e infektivit në spitalin e Durrësit nga mjekët infeksionistë. Analizat kanë dalë negative pas kontrollit të bërë, dhe tre orë më pas të katër marinarët janë shoqëruar për në anijen e tyre. Ndërkohe që u mor kampioni për analizën në laboratorin e specializuar të Bukureshtit", thuhet në komunikatën e kapitetinit. Marinarët kanë ardhur në Shqipëri më 29 qershor dhe janë larguar të nesermen, më 30 qershor.
***********
Gripi i derrit, 4 të prekur. Godo: Po përhapet me shpejtësi
22 korrik
TIRANE- Tre marinarët e dyshuar, rezultuan të prekur nga A/H1N1 ç'ka çon në katër numrin e të prekurve nga gripi i derrave në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik njoftoi sot se "pas mbërritjes së përgjigjeve të analizave, tre marinarët, 2 filipinas dhe 1 rumun, rezultuan të prekur nga A/H1N1.Dy ditë më parë u konfirmua se nje student nga Gjirokastra ishte i prekur nga virusi.
Tre marinarët janë larguar tashmë nga vendi ynë pas qendrimit disa ditor në portin e Durrësit. Tre të infektuarit kanë patur si pika kontakti Portin e Durrësit dhe Spitalin e Durrësit, ç'ka rrit dyshimet për të prekur të tjerë. Fakt ky që pranohet edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Fill pas analizave të marinarëve, Godo thotë se "virusi tashmë po vërtitet dhe ne presim raste të tjera në vendin tonë".
Ajo tregon se pritej që përgjigjet e marinave të vinin pozitive, pasi ata kishin gjithe shenjat klinike të gripit të derrave. "Ata janë sëmurë që në anije dhe sa kanë mbërritur në port kanë shkuar në spital. Kanë qendruar aty nje dite ku edhe iu janë marrë analizat, përgjigjet e së cilave dolën pas një jave, pasi siç dihet ato bëhen në laboratorin e Bukureshtit", shprehet Godo. "Mbrëmë në darkë përgjigjet erdhen pozitive ç'ka çon në katër numrin e të prekurve. Theksoj se ky është numri i atyre që dihen pasi mund të ketë edhe shumë të tjerë të prekur dhe ne presim raste të reja çdo ditë, sepse siç kemi thënë gripi është viral dhe me përhapje shumë të shpejtë. Katër personat e prekur mund të kenë infektuar shumë të tjerë", vijon Godo. Pa përjashtuar personat e tjerë me shenjat e gripit, ende të pakonfirmuar pasi analizat e tyre tashmë jane në laborator.
DYSHIMET
Të paktën 60 persona dyshohen se gjenden të infektuar nga Virusi A/H1N1, i njohur si Gripi i Derrave, në Shqipëri. Gjithsesi, gjithçka mbetet në fazën e dyshimeve paraprake, pasi fjalën e fundit nëse pandemia ka gjetur përhapje të gjerë edhe në vendin tonë, do ta thonë rezultatet e analizave që priten të vijnë, gjatë javës së ardhshme nga laboratorët rumunë dhe anglezë, ku janë çuar për ekzaminim. Dhimitër Kraja, shef i Shërbimit Infektiv, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, informoi dje për mediat, se ditët e fundit ka pasur shtim të ndjeshëm të rasteve me shenja gripale, të dyshuara me gripin e derrave."Deri tani në shërbimin tonë janë paraqitur rreth 60 raste, ku të gjithë kanë qenë negative". Kraja tha më tej se: "Pas shfaqjes së rastit të parë të prekjes nga gripi i derrave në Shqipëri, janë shtuar masat për përballimin e situatës dhe se për të gjitha rastet e para që do të paraqiten, Shërbimi Infektiv është i pajisur me Tamiflu-të e nevojshme". Por, megjithë dyshimin për shtimin e rasteve të prekjes nga gripi i derrave, Ministria e Shëndetësisë lajmëroi se nuk do të marrë masa të jashtëzakonshme për të bërë të mundur përballimin e situatës. Ministria Anila Godo, tha dje në një takim me drejtues dhe specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, se do të rivlerësojë masat, por nuk do të ndryshojë strategjinë. "Nëse shikojmë se duhen bërë ndryshime në vlerësimin e masave, do ta bëjmë një gjë të tillë. Instituti i Shëndetit Publik do të vazhdojë të monitorojë sëmundshmërinë, ku përparësi do t'i jepet sëmundshmërisë respiratore, e cila na bën të gjykojmë nëse kemi përhapje të patologjisë së formave të mesme, ose mbi të mesme. Gjithsesi dua të citoj se nuk ka vend për alarm", tha ministria e Shëndetësisë". Hëpërhë lajmi i mirë, sipas specialistëve të shëndetësisë është që deri tani ka vetëm sëmundshmëri normale të aparatit respirator, gjë që nuk përbën shqetësim për shëndetin e popullatës. Ministria Godo, u tërhoqi vëmendjen personelit shëndetësor në spitalet rajonale, që të jenë më të kujdesshëm në plotësimin e skedave mjekësore, në rastet kur kanë dyshime, për prekje të personave nga Virusi H1N1. "Personeli shëndetësor në rrethe duhet të jetë më i kujdesshëm dhe më strikt në mbushjen e skedës për rastet e dyshuara, në mënyrë që të konfirmoj rastin dhe të lajmëroj në kohë autoritetet shëndetësore", lëshoi apelin drejtuesja e shëndetësisë
Shqipëria, Tamiflu vetëm për 5 mijë qytetarë
Nëse Shqipëria preket në masë nga pandemia e gripit të derrave, Ministria e Shëndetësisë, ka Tamiflu të gatshme, vetëm për 5 mijë qytetarë. Aktualisht fondi që ky dikaster ka në dispozicion për përballimin e situatës është 350 mijë euro, i pamjaftueshëm në rast epidemie. Ministria Godo, tha dje në takimin me specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, se fondi mund të ndryshojë në varësi të zhvillimit të situatës. "Duke nisur nga sjellja e këtij virusi në vendet përreth, ku infeksioni është prezent, nuk është se kemi numër të madh të sëmurësh. Në vendet fqinje pra rastet janë më tepër komunitare dhe nuk ka shpërthime të mëdha që ne të na bëjë të mendojmë se masat parandaluese, ose trajtuese tonat, do të dalin jashtë kontrollit", tha Godo, duke e cilësuar sëmundjen si pandemi më tepër me imazh komunitar.
Në muajin shtator Ministria e Shëndetësisë do të blejë 10 mijë Tamiflu të reja, në mënyrë që situata të jetë në kontroll, ndërkohë që antiviralët janë nisur për në spitalet rajonale për trajtimin e emergjencave të para.
Këshilla, mos rrini në ambiente të mbyllura!
Këshilla më e dobishme për qytetarët në një situatë të tillë, kur gjithë bota vuan nga sindroma e Gripit të Derrave, është që të evitojnë sa më shumë të jetë e mundur grumbullimet në ambiente të mbyllura. Specialistët e shëndetësisë, ndërsa këshillojnë që popullata të rrijë e qetë dhe të shmangë panikun, u kujtojnë që të shmangin me sa të mundin, ambientet e paajrosura, aq më shumë kur kanë kontakt me të sëmurë. Këshillë e vlefshme është edhe mbajtja e higjienës vetjake. Specialistët nuk e shikojnë të arsyeshme marrjen e masave ekstreme. Ndonëse në strategjinë për mbrojtjen nga Gripi i Derrave, parashikohet në rast epidemie edhe mbyllja e çerdheve dhe kopshteve, një masë e tillë nuk do të ndërmerret nga Ministria e Shëndetësisë. "Një hap i tillë nuk do të ndërmerret, pasi një gjë të tillë nuk e kanë bërë as vende më të prekura se Shqipëria", shpjegojnë motivet në Ministrinë e Shëndetësisë. Momentalisht përgjigjet e analizave të dërguara në laboratorët rumunë dhe anglezë, kanë ardhur vetëm për 5 raste, të cilët kanë pasur konfirmim negativ. Aktualisht, të dyshuar si të prekur gjenden tre marinarë, dy filipinas dhe një rumun, përgjigjet e analizave të të cilëve priten të vijnë në Shqipëri javën e ardhshme. Ajo që bën të ditur Ministria e Shëndetësisë është se, edhe në rast të konstatimit të prekjes së personave të ndryshëm nga gripi i derrave, ndaj tyre nuk do të ndërmerret masa e izolimit dhe karantina. "Arsyeja e heqjes së këtyre masave, -shpjegojnë specialistë të shëndetit publik,- paçka se janë të parashikuara në planin e kontigjencës për pandeminë, lidhet me faktin se nuk të jepnin ndonjë efekt domethënës për sa i përket këtij momenti epidemiologjik"