E Diel, 1 Nëntor 2026

Lehtësimi i procedurave në kufi, Berisha mbledh ministrat

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me disa ministra të kabinetit, në të cilin u diskutua lidhur me masat që duhen ndërmarrë për lehtësimin dhe reduktimin në maksimum të burokracive në kalimin e kufirit.

Duke e cilësuar vendin një destinacion turistik shumë të rëndësishëm, Kryeministri Berisha kërkoi nga institucionet përkatëse angazhimin maksimal, në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë, në pikat e kalimit kufitar, pa cenuar kushtet e sigurisë.

Sipas tij, është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha agjencitë që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit. "Ju thirra që të gjykojmë dhe të dalim me një vendim, në rast se është e nevojshme me një vendim qeverie, ose me një marrëveshje të përbashkët midis të gjitha agjencive, që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit."

Duke vlerësuar sistemin e kontrollit në pikat doganore të Morinës dhe Muriqanit, Kryeministri kërkoi që të ndiqen të njëjtat praktika edhe në pika të tjera, duke lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur fluksin e të ardhurve në këto ditë sezoni turistik.

Kryeministri kërkoi nga ministrat e pranishëm ndjekjen e shembullit të vendeve të tjera, të cilat ofrojnë praktika të standardeve të larta bashkëkohore, në kontrollin e kufijve, që lehtësojnë burokracitë dhe ruajnë sigurinë.

Në takim merrnin pjesë Ministri i Brendshëm, zoti Bujar Nishani, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti Sokol Olldashi, Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, zëvendësministri i Financave Florian Mima, Drejtori i Doganave zoti Endri Pema, si dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Agron Kuliqi.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›