E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, Shqipëria në alarm

Alarmi i përhapjes së gripit të derrit dhe viktimat që ai ka shkaktuar deri tani kanë ndezur dritën e alarmit edhe për vendin tonë. Autoritetet shëndetësore njoftojnë se nuk ka vend për panik, por sërish masat e përkujdesjes nuk duhen neglizhuar.

Në një mbledhje urgjente që është zhvilluar dje paradite në Ministrinë e Shëndetësisë, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të dikasterit të Bujqësisë dhe Ushqimit, si dhe të Institutit të Shëndetit Publik, është diskutuar për situatën aktuale në vend, si dhe masat që duhet të merren në rast të prekjes nga ky virus.

"Informojmë se në vendin tonë nuk ka asnjë ndryshim të nivelit të riskut, pra nuk ka vend për panik apo për ndryshim të sjelljeve tona të përditshme". Ka qenë kjo deklarata e bërë dje nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, menjëherë pas këtij takimi. Sipas tij, nga të dhënat e deritanishme rezulton se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me virusin e gripit të derrit. "Situata epidemiologjike në vend po ndiqet me vëmendje nga MSH dhe MBUMK", tha Ivanaj. Ai shtoi se "jemi në kontakte të vazhdueshme me OBSH-në, me rrjetin e rregullores ndërkombëtare sanitare, me institucionet e shëndetit publik evropian, rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit, si dhe organizatën botërore të epizotive. Adaptimi i të dhënave është i përditshëm".

Ivanaj shpjegoi se sipas rekomandimeve të OBSH-së, të gjitha institucionet e specializuara kanë rritur nivelin e vigjilencës në lidhje me survejancën e gripit.

Rreziku

Nuk ka asnjë vaksinë që të mund të parandalojë infektimin e njerëzve nga virusi i gripit të derrit. Ky virus tashmë është identifikuar si A-H1N1. Edhe trajtimi mjekësor për këtë sëmundje, që mund të çojë deri në vdekje, nuk është ende specifik. Që do të thotë se kurimi për të bëhet thuajse njëlloj si për të gjitha tipet e tjera të gripit. Aktualisht, mjekësia jo vetëm ajo shqiptare, por edhe ajo ndërkombëtare, nuk ka ende një zgjidhje të qartë për të luftuar këtë virus, i cili ka kapërcyer barrierat nga kafshët te njerëzit dhe rrezikon një pandemi.

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje dje për rritjen e masave të higjienës, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit A-H1N1 edhe në vendin tonë. Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, ka bërë të ditur se kjo sëmundje është një kombinim i gripit të derrit, atij të shpendëve dhe të njeriut, ndërsa ka theksuar se nuk ka vaksinë për parandalimin e këtij virusi, që ndryshe quhet gripi i derrit.

"Virusi që shkakton këtë sëmundje, përmban komponentë të virusit të gripit të derrit, gripit të shpendëve dhe gripit të njerëzve. Pavarësisht se quhet gripi i derrit, kemi të bëjmë me një virus të ri, i cili nuk është identifikuar më parë deri tani", shprehet ekspertja e ISHP-së, Bino. Ajo ka hedhur poshtë çdo mundësi që infektimi me këtë virus të ketë ndonjë lidhje me konsumin e mishit të derrit. Pra, gatimi i këtij mishi pas përpunimit të tij në temperatura mbi 70 gradë nuk përbën rrezik për të marrë virusin e rrezikshëm edhe në rast se kafsha ka qenë e sëmurë. Por rreziku qëndron në një tjetër drejtim. Në atë që përhapja e virusit është e shpejtë, për shkak të faktit se merret përmes frymëmarrjes nga kontakti human. "Kur themi se kemi të bëjmë me grip, kemi të bëjmë me përhapje të rrugëve respiratore dhe nëpërmjet kontaktit. Simptomat janë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm", sqaron më tej Bino.

Verifikimi

Alarmi për përhapjen e kësaj sëmundjeje ka prekur mbarë Evropën pas më shumë se 100 të vdekurve në Meksikë dhe shumë rasteve të identifikuara në Amerikë. Po kështu, verifikimi zyrtar i disa të sëmurëve të infektuar në Evropë ka bërë që edhe autoritetet shqiptare të vihen në gjendje alerte. Ministria shqiptare e Bujqësisë dhe Ushqimit është përpjekur që t‘i qetësojë të gjithë konsumatorët, duke u shprehur se vendi ynë nuk importon mish nga Meksika, ndaj nuk është e rrezikuar përballë këtij virusi.

Sëmundja

Si infektohesh nga gripi i derrit

Specialistët e shëndetit sqarojnë se gripi i derrit është një problem frymëmarrjeje, që shfaqet te derrat dhe që shkaktohet nga një virus i veçantë, gripi i tipit A. Sipas tyre, mundësia për t‘u infektuar është më e madhe te njerëzit që janë në kontakt direkt me këto kafshë. Por rreziku më i madh qëndron në faktin se pas personit të parë të prekur me këtë virus, kjo sëmundje fillon të përhapet me shpejtësi nga një individ te tjetri.

Simptomat e këtij gripi te njerëzit janë të ngjashme me të gjitha tiparet që shfaq një influencë normale. Kështu, sëmundja shoqërohet me temperaturë, kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje. Shumë nga personat e prekur nga sëmundja e gripit të derrit kanë pasur diarre dhe të vjella të vazhdueshme.

Por si prekesh nga virusi i gripit të derrave?

Mënyrat e transmetimit të këtij gripi janë përmes dy rrugëve. E para lidhet me kontaktin e drejtpërdrejt me kafshët që bartin këtë lloj virusi. Ndërsa mënyra e dytë dhe që po e përhap me shpejtësi këtë sëmundje është ajo përmes kontaktit me personat e sëmurë. Individët e prekur nga kjo sëmundje konsiderohen si të infektuar përgjatë gjithë kohës që janë me këtë grip, por ata e mbajnë "statusin" e të sëmurit deri në 7 ditë pas shërimit total nga simptomat. Ndërsa për fëmijët situata është edhe më e komplikuar. Ata mund të qëndrojnë të prekur nga ky virus edhe për një kohë më të gjatë se sa të rriturit.

Në vendin tonë, sipas statistikave zyrtare rezulton se mbarështohen mbi 152 mijë krerë derra. Ndërsa prodhohet më shumë se sa 15 mijë tonë mish derri në vit.

Pas gripit të shpendëve, të disa viteve më parë, ky virus i ri është shndërruar në panikun e radhës edhe për shkak të faktit se është i ri dhe i panjohur për sistemin mbrojtës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›