E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i shpendëve mund të shkaktojë pandemi më të rëndë se COVID-19, thonë shkencëtarët

Virusi i gripit të shpendëve mund të shkaktojë një pandemi më të rëndë se COVID-19 nëse pëson mutacione që e bëjnë të transmetueshëm mes njerëzve.

Kështu paralajmëron Instituti Pasteur në Francë.

Virusi, shumë patogjen i gripit aviar, i njohur zakonisht si gripi i shpendëve, ka shkaktuar therjen e qindra milionë shpendëve vitet e fundit, duke ndërprerë zinxhirët ushqimorë dhe rritur çmimet, edhe pse rastet te njerëzit mbeten të rralla.

“Ajo që frikësohemi është përshtatja e virusit te gjitarët, veçanërisht te njerëzit, duke u bërë i aftë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu. Një virus i tillë do të ishte virus pandemik”, tha për Reuters Marie-Anne Rameix-Welti, drejtoreshë mjekësore në qendrën e infeksioneve respiratore të Institutit Pasteur.

Instituti Pasteur ishte ndër laboratorët e parë europianë që zhvilloi dhe shpërndau testet për zbulimin e COVID-19, duke i vënë protokollet në dispozicion të OBSH-së dhe laboratorëve në mbarë botën.

Asnjë antitrup kundër gripit h5

Njerëzit kanë antitrupa kundër llojeve të zakonshme të gripit sezonal H1 dhe H3, por jo kundër gripit H5 që po prek shpendët dhe gjitarët, njësoj siç nuk kishin antitrupa kundër COVID-19, shpjegon Rameix-Welti.

Dhe ndryshe nga COVID-19, i cili prek kryesisht personat vulnerabël, viruset e gripit mund të jenë vdekjeprurëse edhe për njerëz të shëndetshëm, përfshirë fëmijët.

“Një pandemi e gripit të shpendëve do të ishte ndoshta mjaft e rëndë, potencialisht edhe më e rëndë se pandemia që përjetuam”, shtoi Rameix-Welti nga laboratori i saj në Paris.

Ka pasur shumë raste të infeksioneve të njerëzve me llojet e gripit H5, përfshirë H5N1 që qarkullon aktualisht te shpendët dhe lopët e qumështit në SHBA, por këto raste kanë qenë kryesisht tek ata që kanë patur kontakt të ngushtë me kafshë të infektuara. Ndërkohë, këtë muaj u regjistrua rasti i parë njerëzor me H5N5 në shtetin e Washingtonit, ku pacienti, me sëmundje të tjera paraprake, ndërroi jetë javën e kaluar.

Në raportin e fundit, OBSH tha se nga viti 2003 deri në 2025 janë regjistruar gati 1 mijë shpërthime te njerëzit, kryesisht në Egjipt, Indonezi dhe Vietnam, prej të cilëve 48% kanë ndërruar jetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›