E Shtunë, 31 Tetor 2026

Griselda, një skenar ogurzi i Edi Ramës

03-06-2011 / Gazeta 55

Tronditja publike s’mund të kalohet me një letër bakalli, që njofton dështimin e skenarit të opozitës. Pyetjet e rënda kërkojnë përgjigje lidhur me anulimin e konferencës së shtypit të Edi Ramës, tek shtëpia e Elvis Roshit në Kavajë, por edhe ndjesa publike nga vrasësit me pagesë që nëpër media majtiste, nxituan të ngrenë pluhurin e një vrasjeje shtetërore.


-- Hetimi inteligjent i Policisë së Shtetit e hodhi në erë projektin e Edvinit “kush vjedh votat, vjedh edhe foshnjat”, por investigatorët duhet të orientohen tek enigmat e ditës së djeshme: Pse prokuroria ishte e para që e shpërndau lajmin qysh në mesditë? Si u zgjodh Henrik Ligori, burri i deputetes edviniste, Shegush Ligori, për të “hetuar” skenarin? Si dështoi përgatitja e rumunit Boshtinaru për të dënuar “regjimin foshnjevrasës” të Tiranës


S’ka të ndalur përpjekja jomorale, poshtë brezit e llogores së Edi Ramës për të ndalur normalizimin e politikës në Shqipëri. Griselda Roshi, gruaja e Elvis Roshit, kandidatit socialist që ka fituar bashkinë e Kavajës, denoncon rrëmbimin e saj në muajin e nëntë të shtatzanisë si dhe detyrimin për një lindje të detyruar, çka pandehej se kishte sjellë edhe rrëmbimin e foshnjes. Deklarata ishte si një rrufe në qiell të kthjellët dhe pa një pa dy, ia shkrepi përgatitja revolucionare e PS-së për t’u shndërruar në establishment të lëvizjes më të fundit edviniste, “kush vjesh votat, i vjedh edhe foshnjat”. Ajo nisi me angazhimin e mediave opozitare, të cilat kishin privilegjin që të parat të merrnin prej prokurorisë, që paraditen e 1 qershorit, njoftimin se “gruaja e parë e kryebashkiakut të Kavajës ishte rrëmbyer, detyruar të lindtte me forcë dhe i ishte grabitur foshnja”. Pas disa orësh, kur u pa se lajmi ishte shumë i rëndë dhe askush s’guxonte të dyshonte, lëre më të hetonte, Edi Rama, gruaja e tij e fundit, Erion Veliaj, Arta Dade dhe të tjerë faktorë sensibël në PS për çështje të tilla, u shfaqën në Kavajë në “pritjen zyrtare” që Elvis Roshi dhe mediat do t’i bënin themelimit të lëvizjes më të fundit politike, asaj që do të intimidonte deri në asht Kolegjin Zgjedhor të Tiranës, themelimit të lëvizjes “kush vjedh votat, grabit edhe foshnjat”.


Ky skenar ogurzi që premtonte veç trazira, në klimën inkandeshente që prodhuan zgjedhjet-fotofinish të 8 majit në kryeqytet, mori viston e Partisë Socialiste, pasi i gjithë establishmenti mediatik i saj mori urdhër që të kërrente elegjitë për “foshnjën e Griseldës”, por edhe që do të duhej të jepte kushtrimin e nisjes së lëvizjes antiberishiane “kush vjedh vota, grabit edhe foshnja”. Brenda orës, dërgata u shfaq në Kavajë, e përgatitur që në të gjitha rrethanat, të niste kushtrimin kundër regjimit “foshnjevrasës”. Për të kontrolluar të gjithë operacionin që duket se ishte gatuar në të njëjtat kuzhina që prodhuan 21 janarin, me të njëjtët protagonistë, tashmë në dëshpërim e sipër, nga prokuroria ishte caktuar që “dosjen hetimore” ta udhëhiqte Henrik Ligori, që rasti e do (për lexuesit që hutohen përmes germave) që prej vitesh është bashkëshorti i Shegushe Ligorit, njërës nga deputetet më fanatike të PS-së.


Kryqëzata ndaj regjimit “foshnjevrasës” u ndal në fazën e vet më kruciale, pasi grupi hetimor i Ligorit, njoftoi “qendrën” se “skenari” s’qendronte e se këmbëngulja do të sillte veç “dëme politike”. Pas kësaj fraze, ndodhi edhe anulimi i konferencës për shtyp të Edi Ramës në Kavajë, një ndryshim kurbe që ndoshta mund të shmangë implikimin formal të PS-së, por që s’ndal dot dëmet e konsumuara deri në atë moment. Dhe numërimi i tyre s’është fort i vështirë. Në ndërkohë, urdhri ishte dhënë për analistët dhe veglat e tjera publicistike që dje janë turpëruar sa s’ka më kur kanë lexuar komentet e tyre për “regjimin foshnjevrasës” që qenkësh instaluar në Shqipëri. Tonalitetet ishin të ndryshme, që nga ish-të rehabilituarat e Zvicrës e deri tek kodoshët e divorcuar rishtas të publicistikës labe, por thelbi ishte porosia partiake se “rrëmbimi i foshnjës” ishte konsumuar me urdhër të Berishës, për shkak se ai s’e duroka dot humbjen elektorale të Kavajës. Për shkak të procedurës, këto viktima të profesionit, u demaskuan sot prej të tërëve, por mbetet në ndërgjegjen e tyre të shpikin metoda të tjera “profesionalisht korrekte” që të mos i nxjerrë kaq gafil, e në mënyrë kaf flagrante, pothuajse krejt njëlloj siç I ndodhi presidentit të republikës me kutinë tiranase 1968. 


Por kinetika e këtij demaskimi është edhe më interesante. Ndërkohë që dërgata partiake ishte në Kavajë për nisjen e lëvizjes “kush vjedh vota, grabit edhe foshnje”, standard që tashmë ishte shitur edhe tek disa agjenci ndërkombëtare lajmesh, nga Prokuroria e Tiranës, atje ku ishte caktuar Hektor Ligori për “mbarëvajtjen e operacionit” duket se erdhi sinjali se ky skenar s’kishte asnjë mundësi realizimi e se sa më shpejt të braktisej ai, aq më pak dëme do të sillte për nomenklaturën e përbashkët. Zbulimi i taksistit si dhe i kamerës që kishte filmuar Griseldën në klinikën private, teksa ajo ishte për një pretendim “intoksikimi” kishin qenë gurët e paplanifikuar në tabelën e shahut, prandaj edhe rruga për në Kavajë kish qëlluar së prapthi e prej saj duhej dalë me sa më pak humbje. Zbulimi inteligjent i Policisë e hodhi në erë projektin e Edvinit “kush vjedh votat, vjedh edhe foshnjat”, prandaj edhe vendimi më i matur në këtë rast mbetej që analistët e paguar dhe përpunuesit e kësaj strategjie “ta hanin”, mjaft që partia të mos kishte dëme më të mëdha sesa mban. Edhe Kolegji Zgjedhor le t’ua japë mandatën, mjaft që të mos merret vesh skema e prodhimit të “revolucionit foshnjevrasës”.


Ata që ngritën pluhurin e një vrasjeje shtetërore ishin zgjeruar së tepërmi, jo veç në mediat tona, por edhe në Bruksel, atje ku korrespondentët raportuan se eurodeputeti rumun Boshtinaru ish bërë gati për konferencën e radhës për shtyp, që do të denonconte regjimin e Tiranës. Punë e madhe – thanë ata që ndiqnin skenarin në Tiranë, ai është mësuar me të tilla ndryshime plani.   Skenari ogurzi ligështoi dje mijëra zemra shqiptarësh, të cilët nisën t’i bënin pyetje vetes nëse shoqëria jonë ishte aq demokratike sa të prodhonte forcën që do të thyente forcat “foshnjevrasëse” që guxuan të shfaqen ditën për diell para shikimit të të gjithëve.


Por në fund të ditës, e vetmja forcë që perceptuam ishte ajo e irritimit, që vjen nga një mazhorancë shqiptarësh që ndjehet evropiane dhe që s’duron dot të nërpërkëmbet nga një vullnet qiraxhi, që vjen prej bashkëpunimit të nomenklaturës komuniste dhe forcave më përfaqësuese të malavitës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›