E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e Lirak Bejkos Ceremonia mortore te merkuren

Bashkëshortja e Lirak Bejkos, ish-të përndjekurit politik i cili ndërroi jetë tre ditë më parë në Bari të Italisë, ka deklaruar se ceremonia mortore për të ndjerin do të zhvillohet ditën e mërkurë, një ditë pas kthimit të trupit në atdhe.

Ajo ka deklaruar se homazhet për Lirak Bejkon do të zhvillohen në Institutin e Integrimit të ish-të përndjekurve politikë, vetëm nëse arrihet zgjidhje paqësore me drejtuesit e këtij institucioni.

Një ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i Institutit të Integrimit, Simon Mirakaj, në një prononcim për “Shqip” deklaroi se për homazhet e kërkuara nga shokët e Bejkos nuk ishte marrë ende një vendim. Sipas Mirakaj, dyert e institucionit do të hapeshin, vetëm nëse do të kërkohej nga familjarët e Bejkos.

Ndërkohë ish-të burgosurit politikë nuk kanë pranuar ndihmën e qeverisë dhe asnjë partie politike duke marrë vetë përsipër të gjitha shpenzimet për kthimin në atdhe të mikut të tyre Lirak Bejko. 47-vjeçari Bejko, babai i dy fëmijëve, ka humbur jetën në një klinikë në Bari të Italisë. Rreth një muaj më parë, teksa ishte ngujuar në një grevë urie me disa ish-të përndjekur politikë, ai i vuri flakën vetes në shenjë protestë për shurdhësinë e institucioneve ndaj kërkesave të tyre ekonomike. Bejko pësoi dëmtime të rënda në më shumë se 50% të trupit. Ai u transportua në një klinikë në Bari për trajtim më të specializuar, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Por megjithë përpjekjet e bluzave të bardha, 47-vjeçari nuk ka mundur t'i përballojë plagët e marra dhe zemra e tij pushoi së rrahuri mesditën e datës 31 tetor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›