E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja ndjek Zani Çaushin në burg, shpërngulet në Korçë

Vetëm pak pas transferimit të Zani Çaushit nga Burgu i Sigurisë së Lartë Burrel për në atë të Korçës, mësohet se këtë qytet e ka lënë edhe bashkëshortja e tij, Arjana Panxha.Fqinjë të saj thanë se ajo është larguar bashkë me djalin e vogël nga godina e ish-ushtarakëve të Burrelit pa lajmëruar askënd. Është larguar pa bërë zë. Rrinte këtu bashkë me ne, në një dhomë të Shtëpisë së Oficerëve. E kishte marrë me qira dhe banonte këtu. Ditët e fundit nuk e kemi parë fare. Të zotët e shtëpisë na thanë se është larguar prej Burrelit, por nuk dinë ku është vendosur, thanë komshinjtë e Arjanës. Largimin e bashkëshortit nga Burgu i Burrelit me siguri ajo e ka përjetuar keq, pasi shkonte herë pas here te Zani bashkë me djalin, takoheshin, çmalleshin dhe kthehej në shtëpi, vetëm 150-200 metra larg burgut. Teksa komentojnë largimin e Arjanës nga kjo banesë, fqinjët nisin e hamendësojnë. Nuk besojmë të ketë vajtur në Vlorë, sepse atje ishte para një viti dhe erdhi në Burrel. Zani nuk ka njerëz me të cilët gruaja e tij mund të rrinte me ta, thotë një grua rreth të pesëdhjetave, e cila rrinte çdo ditë më Arjanën. Dikush tjetër mendon se ajo duhet të jetë vendosur në qytetin e Korçës. Me siguri, – thonë fqinjë të tjerë, të cilët kërkojnë të mos u përmendet emri, – Arjana duhet të ketë vajtur në Korçë. Ajo do të ketë marrë shtëpi me qira dhe ka mundësi të jetë më afër burrit të saj. Ka nga ata fqinj që mendojnë se bashkëshortja e Zanit mund të ndjehej e kërcënuar nga dikush, ndaj është larguar nga Burreli. Ndërkaq, të gjithë urojnë që asaj të mos i ketë ndodhur diçka e keqe. Është një grua zonjë dhe e respektuar. Ne nuk e kemi paragjykuar për asnjë moment pse u martua me Zanin, me këtë person të përfolur për vrasje. Ajo u lidh me të dhe lindi një fëmijë, madje, me sa jemi në dijeni, presin dhe një fëmijë tjetër, tregojnë banorët.
Gjurmët e Zanit në Burrel
Zani Çaushi ka lënë gjurmë në Burgun e Burrelit. Ai, në një farë mënyre, ka bërë emër krahasuar me të dënuarit e tjerë. Si rrallë të dënuar me burgim të përjetshëm ndërtoi familje në qelitë e ftohta të Burgut të Burrelit. U martua me një vajzë matjane dhe falë kësaj lidhjeje, lindën dhe një djalë. Lidhjet e ngushta me drejtues të burgut bënë që takimet mes çiftit Çaushi të ishin të vazhdueshme, duke sfiduar rregulloren e burgjeve. Mbajtja e pëllumbave në mjediset e brendshme të burgut tregonte në një farë mënyre shpirtin e mirë të Zanit. Pas arratisjes së dy të dënuarve në prill të vitit 2008, atij ia heqin pëllumbat, por këtë vit arrin ti kthejë ata përsëri. Nuk e di askush misionin e vërtetë të mbajtjes së pëllumbave, nëse ata mbaheshin si simbol paqeje, apo shërbenin si korrierë nga brenda jashtë burgut e anasjelltas. Zani ka dhe anën tjetër të medaljes në Burgun e Burrelit. Dihet se sa herë ka pasur kontrolle, atij i janë gjetur celularë, por vazhdimisht ka kartë. Askush nuk mund të thotë me saktësi pse i mbante, më kë bisedonte, kush ia dërgonte në qeli etj. Çaushi, një vit më parë rrahu gardianë të burgut pse i hoqën pëllumbat nga oborri i burgut, te zona e ajrimit. Ngjarja më e rëndë ishte ajo e 17 majit, kur Zani u përplas fizikisht me forcat speciale të Drejtorisë së Burgjeve. Burime të sigurta thanë se ai dhe efektivë të këtyre forcave janë përleshur mes tyre, derisa Zani përfundoi në izolim të plotë e më pas u transferua për në burgun e Korçës.

Dorëheqja

Ka dhënë dorëheqjen drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel, Nerim Dema. Mësohet se një javë më parë ai i kishte paraqitur drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dorëheqjen e parevokueshme, por ajo është pranuar vetëm një ditë më parë. As Dema dhe as kolegët e tij nuk pranojnë të japin shkaqet e dorëheqjes, por dihet se tashmë Burgu i Burrelit ka një drejtor të ri. Ai është Eduart Gjoni, ish-drejtori i Burgut 302 Tiranë. Dorëheqja e Demës erdhi pak ditë pas kontrollit të ushtruar në qelitë e të dënuarve të Burrelit dhe gjetjes së shumë sendeve të ndaluara. Ditë më parë, DPB shkarkoi shefin e policisë së këtij institucioni. Burime jozyrtare thanë se pas largimit nga detyra të drejtorit të Burgut të Burrelit, Nerim Dema mund të emërohet drejtor i zyrës arsimore Mat.

BURREL/ HASAN PASHA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›