Vlorë, motorët e ujit deri në 500 m nga bregu
VLORE – Edhe këtë sezon turistik, moratoriumi i skafeve penalizon pronarët shqiptarë të këtyre mjeteve lundruese. Drejtoria e Policisë Kufitare e Emigracionit ka marrë një mesazh për përballimin me sukses të këtij sezoni, në zbatim edhe të udhëzimeve të nxjerra nga Policia e Shtetit. Evitimi i incidenteve në det, si dhe kontrolli i rreptë për sa u përket përdoruesve të motorëve në det, janë të tjera masa që kjo drejtori ka marrë edhe për këtë sezon turistik. Këtë fakt e bën të ditur edhe kreu i policisë kufitare e emigracionit, Arben Hajdërmataj, i cili pohoi për Panorama se gomonet dhe skafet e policisë do të patrullojnë gjatë të gjithë muajve të verës në det.
Z.Hajdërmataj, çfarë masash janë marrë në Portin e Vlorës për përballimin e fluksit të pushuesve e turistëve?
Për një lëvizje të lirë dhe pa pengesa në terminalin e portit të Vlorës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Portit dhe institucionet e tjera vendore janë shtuar sportelet e kontrollit të dokumenteve të shtetasve shqiptarë e të huaj, si dhe të automjeteve. Tashmë janë 10 sportele në dalje dhe 10 në hyrje. Nëse do të jetë e nevojshme, do të hapet edhe dera tjetër që mbahet rezervë për raste emergjente.
Ju po zbatoni edhe moratoriumin e skafeve. Pra edhe këtë vit nuk do të kemi skafe e gomone në det?
Policia kufitare ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar lëvizjen e asnjë mjeti lundrues në det, deri në 2013-n, kur dhe ka afatin përfundimtar ky moratorium. Ndërkohë, do të ketë lundrim në det vetëm për skafet që mbajnë flamur dhe pronar të huaj, sepse moratoriumi nuk pengon shtetasit e huaj për të lëvizur me skafe apo mjete të tjera lundruese në det.
Një problem tjetër janë motorët e ujit. Çmasa janë marrë për këtë sezon?
Ashtu si në sezonet e kaluara, edhe këtë vit ne do të lejojmë të lëvizin motorët e ujit. Para se tu jepet leja e lëvizjes, duhen plotësuar disa kushte nga bashkitë apo komunat që kanë det, siç është vendosja e sinjaleve në det për përcaktimin e distancës që duhet të mbajnë motorët e ujit nga pushuesit. Nëse bashkitë e komunat nuk vendosin sinjalet e duhura, siç janë tapat sinjalizuese, Drejtoria e Policisë Kufitare nuk jep asnjë leje për motorët e ujit. Nëse drejtuesi i motorit kalon largësinë e 500 metrave, mjeti bllokohet. E njëjta masë merret dhe kur i afrohet mjeteve të tjerë lundruese. Ndërsa distanca me bregun përcaktohet nga njësitë vendore.
Po në lidhje me incidentet në det, siç mund të jetë mbytja e pushuesve?
Forcat tona do të lëvizin vazhdimisht me gomonet apo skafet e policisë, duke vëzhguar të gjithë territorin dhe zonat e plazheve. Do të kontrollojmë edhe personat që futen thellë në det, madje ata do të këshillohen të kthehen pas, sepse paraqitet rrezik për jetën e tyre. q.b