E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruevski, akuza dhe tone të ngritura ndaj NATO-s

Nikolla Gruevski / Foto arkiv

Në një intervistë të dhënë së fundmi, kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, ka drejtuar kritika dhe ka folur me tone nervozizmi ndaj NATO-s, lidhur me mosdhënien e ftesës për anëtarësim, në Samitin e Çikagos.

“Maqedonia në mënyrë të padrejtë nuk do të marrë ftesë për pranim në Çikago, e cila edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, por edhe sipas parimeve morale dhe arritjeve, e meriton për shkak të bllokimit të njohur mirë nga Greqia. Por kjo nuk është problem vetëm i Maqedonisë dhe i Greqisë, por është problem thelbësor edhe i Aleancës nga natyra politike, morale dhe e të drejtës ndërkombëtare. Dhe NATO-ja nuk ka përgjigje për këtë”, deklaroi kryeministri Gruevski në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, MIA.

Lidhur me përfaqësimin e Maqedonisë në Samit dhe mospjesëmarrjen e tij, Gruevski shtoi se prezenca e krerëve shtetërorë nga Shkupi është në nivelin më të lartë se sa duhet.

Ai ka theksuar se NATO-ja udhëheq politikën e standardeve të dyfishta. Gruevski ka theksuar se po të ishte në vendin e presidentit Gjorgje Ivanov nuk do të shkonte në këtë samit.

“E drejta ndërkombëtare po zbatohet në mënyrë selektive, Maqedonia është viktimë e standardeve të dyfishta, padrejtësive dhe joparimeve, dhe kur është e qartë se nuk do të marrin ftesën për në NATO, nuk kam pse të marr në këtë samit. Po të isha në vendin e presidentit, unë nuk do të shkoja në Çikago, dhe nuk jam i sigurt se edhe ministri i Punëve të Jashtme duhej të udhëtonte drejt Çikagos, në kushtet e një injorimi të tillë nga NATO-ja”, tha Gruevski.

Ai ka shtuar se NATO-ja ka përfaqësues dyfytyrësh dhe joparimorë. “Nuk e di se me çfarë fytyre na drejtohen përfaqësues të caktuar të disa vendeve udhëheqëse të NATO-s, apo me çfarë fytyre përgjigjen se kemi lëshuar ndonjë shans me Papandreun, apo fraza të ngjashme diplomatike. Më besoni se më vjen mund kur dëgjoj gjëra të tilla krejtësisht joparimore. Këtë dyfytyrësi, politikë të standardeve të dyfishta, këtë mungesë parimesh dhe shmangiet nga vlerat për të cilat ata angazhohen, nuk i kam vërejtur si precedentë prej kohësh, siç është rasti me Maqedoninë”, theksoi kryeministri Nikolla Gruevski.

Sipas tij, NATO-ja, në mënyrë krejtësisht joparimore, ka shfrytëzuar Maqedoninë kur ka pasur nevojë dhe e ka “keqtrajtuar me vite”, duke përmendur shembullin e ndërhyrjes kundër Serbisë në vitin 1999, e deri tek prania në misionet dhe aksionet e forcave aleate.

Gruevski ka theksuar se asnjë konkluzion nga Samiti i NATO-s nuk zëvendëson ftesën që i duhej dhënë Maqedonisë.  / INA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›