E Diel, 1 Nëntor 2026

Grup i strukturuar kriminal e pengmarrje, SPAK dërgon për gjykim katër të pandehur

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar sot për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal ndaj katër të pandehurve. Në kuadër të këtij procedimi, SPAK ka kërkuar gjykimin e Fation Bushgjokajt, Petrit Hoxhës (Çakraj), Kristë Bushgjokajt dhe Aleksandër Bushgjokajt.

Sipas SPAK, të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale, “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

SPAK njoftoi se Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj kanë kryer veprime të koordinuara me qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D.

“Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe të dhënave të pajisjeve GPS të automjeteve të marra me qira dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, është dokumentuar lëvizja e të pandehurve në qytetin e Burrelit dhe në aksin rrugor Klos–Zenisht, në kërkim të viktimës. Sipas hetimit, pranë vendit të quajtur “Ura e Matit”, shtetasi R.D. është pikasur në automjetin e tij Benz dhe është ndjekur nga automjeti “Hyundai Santa Fe”, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj. Këta provohet se kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, “Range Rover””, njoftoi SPAK.

SPAK bëri të ditur se ndjekja ka vijuar deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, provohet se automjeti “Range Rover” i ka bllokuar rrugën viktimës.

“Sipas rezultateve të hetimit, R.D. është nxjerrë forcërisht nga automjeti i tij dhe nën dhunën e autorëve, është futur në automjetin “Range Rover”. Më pas të tre automjetet kanë ecur njëri pas tjetrit nga qyteti i Burrelit në drejtim të Ulëzës dhe Shkopetit, ku provohet se është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja shtetasit R.D. nga autorët e veprës penale. Kjo vërtetohet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor”, njoftoi SPAK.

Sipas hetimit, njoftoi më tej SPAK, më pas automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulëzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e tij.

SPAK theksoi se nga analiza e lëvizjeve të automjeteve, këqyrja e kamerave pranë vendngjarjes, pajisjeve GPS, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike të personave nën hetim, është arritur në përfundimin se plani për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit R.D ka qenë i strukturuar dhe i koordinuar, duke e kryer veprën penale në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.

/m.q/r.e/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›