E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 130-të qytetare në Tiranë, paralajmërohet tubim nesër para Kuvendit

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot pasdite protesta e 130-të e organizuar kundër investimit të planifikuar në Zvërnec.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë, ndërsa organizatorët ritheksuan kërkesat e tyre.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, në fjalën e saj përpara Kryeministrisë tha se propaganda qeveritare është përdorur që të shfryjë protestën.

“Kur e nisëm këtë betejë nuk e mendonim se do ia dilnim përballë një regjimi dhe një parlamenti, që nuk përfaqëson më qytetarët. Kuvendi është bërë zëri më i fuqishëm i krimit të organizuar. Propaganda qeveritare është përdorur që të shfryhet protesta. Na kanë thënë agjentë dhe lloj-lloj etiketimesh. Por në 130 ditë në shesh tregon se halli ynë është më i madh se frika jonë. Ne jemi më të fuqishëm se krimi i organizuar”, tha ajo,

Aktivisti Arben Kola u shpreh se nesër të gjithë duhet të jenë paradite përpara parlamentit.

“Siç e keni marrë vesh, nesër është finalja e madhe në parlament. Nesër shqiptarët duhet të thonë jo dhe jo. Ne nuk duhet të lejojmë që ky ligj të kalojë. Në rast se kalon, është hapi i parafundit për zhbërjen e Shqipërisë”, tha ai.

E nisur më 31 maj në kundërshtim të investimit në Zvërnec, protesta qytetare përgjatë këtyre muajve ka zgjeruar spektrin e kërkesave duke nisur nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”.

Protesta 130 në Tiranë, foto: Florian Abazaj 1 nga 9

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›