Grup kriminal dhe kultivim narkotikësh, GJKKO shpall fajtor Luis Çelën

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor të pandehurin Luis Çela, i cili akuzohej nga SPAK për pjesëmarrje në grup kriminal dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Në përfundim të gjykimit, të përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Erjon Bani dhe Bib Ndreca, trupa gjykuese vendosi që Çela të dënohet përfundimisht me 5 (pesë) vjet e 4 (katër) muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Ai u arrestua më 13 shtator 2024, dhe koha e dënimit të tij do të llogaritet nga ajo datë.
“Vuajtja e dënimit të pandehurit Luis (Argen) Çela i fillon nga dita e arrestimit, datë 13.09.2024, dhe të kryhet në një institucion të sigurisë së lartë”, njofton GJKKO
Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit. /j.p/