E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi D, Gjermania nuk fal, poshtërohet Australia

AFRIKE E JUGUT- Joakim Lëv ka mbajtur fjalën e thënë përpara ndeshjes, kur deklaronte se skuadra e tij e re do t’i poshtëronte rivalët e grupit. Në fakt, nuk ka pasur shumë histori ndeshja e zhvilluar të dielën në mbrëmje në Durban të Afrikës së Jugut, teksa tre herë kampionët e botës kanë arritur të fitojnë 4-0 ndaj Australisë. Por, nuk ishte vetëm rezultati ai që të bën të besosh te kjo Gjermani. Një skuadër e mirëvendosur në fushë, një ekip që qarkullon topin me shumë lehtësi dhe futbollistë që kanë një uri të frikshme për të fituar dhe për të nderuar fanelën. Nëse dikush kishte dyshim se Gjermania e re do të kishte probleme, pas kësaj ndeshjeje duhet t’i ketë shuar ato. Futbollistë si Mesut Ozil, Lukas Podolski apo Tomas Myler, kanë qenë në lartësinë e situatës, duke vënë nën presion konstant “Kangurët”. Rezultati i Gjermanisë ishte më i thelli në këtë Botëror të 19-të dhe një konfirmim se tre herë kampionët e botës mbeten favoritë, pavarësisht të gjitha pikëpyetjeve që ngrihen gjithnjë mbi ta. Në një nivel tepër të lartë ka qenë edhe loja e treguar nga gjermanët, që kanë kryer disa kombinime tepër të sakta përballë një skuadre të pafuqishme.
Ndeshja
Sfida nisi me një moment të mirë të Australisë, por ishte vetëm entuziazmi i fillimit për “Kangurët”. Gjermania mori shumë shpejt frenat e lojës në dorë, duke krijuar raste pafund përpara portës së Mark Shvarcer. Pas vetëm 8 minutash lojë, Lukas Podolski zhbllokon rezultatin, duke treguar se në kombëtare është një sulmues krejt tjetër nga ai i Bundesligës. Topi i futur nga Tomas Myler në zonë u shfrytëzua mjaft mirë prej tij dhe portieri Shvarcer nuk mund të bënte asgjë. Ende pa mbaruar entuziazmi, Miroslav Klose ka një shans të artë për të shënuar golin e dytë, por pak metra larg portës, nuk arrin të shënojë. Sulmuesi i Bajernit megjithatë korrigjon shënjestrën, kur në minutën e 27-të arrin të realizojë me kokë. Praktikisht ndeshja u mbyll këtu edhe pse Mesut Ozil mund të kishte realizuar për herë të tretë në pjesën e parë. Fraksioni i dytë i lojës nisi më i qetë për gjermanët, por rastet para portës ishin të shumta, me Klosen, Myler e Podolski. Tim Kehill lë “Kangurët” me 10 vetë në minutën e 56-të, pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Shvajnstajger. E më pas, në fushë është vetëm Gjermania. Myler shënon në minutën e 68-të pas një rrotullimi të bukur në zonë, ndërsa ndeshja mbyllet nga Kakau, i futur në vend të Kloses. Sulmuesi i Shtutgartit dërgoi në rrjetë një pasim të artë të Ozil, duke vulosur pokerin gjerman.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›