E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS mandaton Ruçin, deputetët votë kundër ligjeve

Deputetët e Partisë Socialiste mandatojnë kreun e grupit për të negociuar me Partinë Demokratike.


Vendoset për marrjen pjesë në seancën e votimeve të ligjeve, do të ketë votë kundër, jo si qëndrim politik, por me argumente


TIRANË - Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, është mandatuar dje nga deputetët e Partisë Socialiste për të zhvilluar negociatat me homologun e PD-së. Në mbledhjen e djeshme të grupit të PS-së, deputetët diskutuan mbi zhvillimin më të fundit politik në vend, negociatat midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.


Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në mbledhjen e grupit socialist është diskutuar mbi negociatat që do të zhvillohen mes mazhorancës dhe është marrë vendimi për votimin e ligjeve në Parlament.


Ndërkohë, deputetët kanë kërkuar që të saktësohet se nuk është PS që po i përgjigjet ftesës së PD për negociata, por anasjelltas. Sipas tyre, socialistët kërkuan uljen në tryezën e bisedimeve dhe tani PD u përgjigj pozitivisht.


Negociatat


Negociatat midis dy partive më të mëdha në vend kanë qenë temë kryesore e diskutimeve në mbledhjen e grupit Parlamentar Socialist, e cila zgjati përreth 40 minuta. Ishte kreu i Grupit Socialist, Gramoz Ruçi, i cili drejtoi edhe mbledhjen e deputetëve, ai që mori fjalën për të njoftuar socialistët mbi situatën në të cilën ndodheshin.


Burime nga mbledhja e grupit socialist bëjnë të ditur se deklarata e kryeministrit Berisha për t'i hapur rrugë negociatave që do të çojnë në marrëveshje për zbatimin e rezolutës së Parlamentit Europian është cilësuar si një hap përpara, por duhet shikuar vullneti për t'i shkruar deri në fund zbatimit të dokumentit të PE.


Deputetët kanë ndarë të njëjtin mendim se gjatë negociatave opozita nuk duhet të tërhiqet nga kërkesat e tyre, të cilat janë të bëra zyrtare për opinionin publik dhe partitë politike.


Kjo do të thotë se PS do t'i kërkojë në negociata mazhorancës që: Të pranojë ngritjen e komisionit të ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit; Të pranojë që opozita të ketë shumicën në këtë komision; Të pranojë që ky komision të drejtohet nga opozita, dhe që ky komision të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të mos digjen fletët e votimit.


Projektligjet


Një temë tjetër diskutimi në grupin Parlamentar Socialist ishte dhe qëndrimi që do të mbahej në Kuvendin e Shqipërisë për ligjet që do të miratohen në seancën e nesërme plenare.


Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur se grupi socialist do të jetë pjesë e votimeve gjatë seancës, por do të votojnë kundër tyre. Të njëjtat burime saktësojnë se ky nuk është një qëndrim politik që lidhet me mosvotimin e ligjeve që kalojnë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, por sepse ka argumente të shumta nga ana e socialistëve që hedhin poshtë këto ligje.


Qëndrimi i Partisë Socialiste për të marrë pjesë gjatë votimeve të ligjeve është një "tërheqje" që bëhet për të krijuar klimën e nevojshme politike për të arritur një kompromis në negociatat që do të zhvillohen prej ditës së sotme edhe në vijim.

VENDIMI


Grupi socialist do të jetë pjesë e votimeve gjatë seancës, por do të votojnë kundër tyre. Të njëjtat burime saktësojnë se ky nuk është një qëndrim politik që lidhet me mosvotimin e ligjeve që kalojnë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, por sepse ka argumente të shumta nga ana e socialistëve që hedhin poshtë këto ligje.

DISKUTIMET


Deputetët e grupit Parlamentar Socialist janë shprehur gjatë mbledhjes se ftesa e Partisë Demokratike erdhi pas kërkesës zyrtare që bëri Partia Socialiste në seancën e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, ata kanë ndarë të njëjtin mendim se gjatë negociatave opozita nuk duhet të tërhiqet nga kërkesat e tyre.


Ruçi kontakton Ramën për negociatat me PD


Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, ka informuar mbrëmjen e dy ditëve më parë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për gatishmërinë e Kryeministrit Berisha për t'u ulur në negociata që do të kenë për bazë zbatimin e rezolutës së Parlamentit Europian.


Burime nga selia rozë, bëjnë të ditur se për shkak të angazhimit të kryesocialistit Rama jashtë Shqipërisë, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Ruçi, ka biseduar me të mbi zhvillimet e fundit në politikën shqiptare. Gjithashtu, mësohet se në bisedën që ka zgjatur për disa minuta, është diskutuar edhe mbi qëndrimin që do të mbajë Partia Socialiste në negociata, duke mos u tërhequr nga pikat e kërkuara.


Lideri i Partisë Socialiste ka dhënë në këtë mënyrë udhëzimet e tij për diskutimet që do të ndërmerren me demokratët. Kreu i selisë rozë ndodhet prej ditësh në Greqi, për një vizitë 4-ditore, ku së bashku me sekretarin për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, dhe kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, marrin pjesë në një takim të ngushtë midis drejtuesve të majtëve europianë.


Pas vizitave të zhvilluara në Athinë, Rama u takua me zyrtarë të lartë të PASOK, si dhe me Kryeministrin grek Papandreu. Pas kësaj, vizita e tij është spostuar në ishullin grek të Poros, ku lideri i PS do të marrë pjesë në takimet me të majtët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›