Nisin sot negociatat PD-PS, ja çfarë do të diskutohet

Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi hapin në orën 11:00, tek Kryesia e Kuvendit, negociatat zyrtare për zgjidhjen e krizës politike.
PS kërkon shumicën, kryetarin dhe mospengesa për objektin e hetimit në Komisionin Hetimor. PD kërkon që për fletët të vendosin gjykatat
TIRANË - Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nisën paraditen e djeshme negociatat për arritjen e një marrëveshje që do t'i japë fund krizës politike disamujore në vendin tonë.
Mazhoranca do të shtrojë kërkesat e saj ku më kryesorja është sugjerimi për dërgimin e çështjes së fletëve të votimit në gjykatën Kushtetuese dhe më pas në atë të Strasburgut. Ndërsa socialistët do të fokusohen tek kërkesat e tyre zyrtare për ngritjen e një komisioni të ri hetimor, marrjen e shumicës dhe kryetarin nga opozita, si edhe mosdjegien e fletëve të votimit.
Por, krahas këtyre do të ketë edhe çështje të tjera të karakterit teknik që do të diskutohen në vijim. Vendimi për t'u takuar në orën 11:00 të ditës së sotme është marrë nga kontakti i parë i krijuar midis kryetarit të grupit Parlamentar Demokrat, Astrit Patozi dhe kryetarit të grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi.
Burime pranë dy krerëve të grupeve parlamentare pohuan se sot do të diskutohet në detaje teknike për metodologjinë e negociatave.
Rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, në Kryesinë e Kuvendit janë takuar dy nga zyrtarët më të lartë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në takimin që zgjati përreth 20 minuta mësohet se janë diskutuar modalitet për nisjen e negociatave zyrtare midis dy forcave më të mëdha politike në vend.
Po kështu, mësohet se gjatë minutave të diskutimit, kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i ka konfirmuar homologut të tij demokrat se do të jetë ai i mandatuari i Partisë Socialiste për negociatat dhe se vendimi do të merrej në mbledhjen e grupit Parlamentar Socialist, që do të zhvillohej vetëm pak minuta më vonë.
Pas kësaj bisede fillestare, palët kanë diskutuar mbi orarin e takimit dhe kanë vendosur që në orën 11:00 në Kryesinë e Kuvendit të hapen zyrtarisht negociatat midis dy forcave më të mëdha politike.
Pas takimi të parë zyrtar, burime nga të dyja partitë nuk përjashtojnë faktin se grupit të negociatave mund t'i shtohen edhe ekspertët përkatës. Takimi i dytë do të zhvillohet paraditen e sotme dhe do të diskutohet menjëherë metodologjia në mënyrë që të shfrytëzohet e gjithë koha që ka ngelur përpara përfundimit të sesionit parlamentar.
Gjithashtu, mësohet se nga të dyja partitë politike ka presion nga Parlamenti Europian që ngritja e Komisionit të ri Hetimor të bëhet brenda muajit korrik, pra brenda përfundimit të këtij sesioni parlamentar.
Një gjë e tillë, nga ndërkombëtarët do të përkthehej si fillimi i zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. Por, burime pranë Ruçit dhe Patozit pohuan se është shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje paraprake brenda një kohe kaq të shkurtër, pasi sesioni parlamentar përfundon pas disa ditësh.
Negociatat midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste do të bazohen në zbatimin e rezolutës së miratuar nga Parlamenti Europian. Demokratët do të paraqesin propozimin e tyre për çështjen e hetimit të zgjedhjeve, ku do t'i kërkohet socialistëve që t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Strasburgut për interpretimin e kërkesës së tyre për hapjen e kutive të fletëve të votimit.
Nga ana tjetër, burime nga selia rozë bëjnë të ditur se gjatë zhvillimit të negociatave zyrtare me Partinë Demokratike do të kërkojnë ngritjen sa më parë të Komisionit të ri Hetimor për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Po kështu, sipas edhe qëndrimeve publike zyrtare, socialistët do të kërkojnë që të kenë mazhorancën dhe kryetarin e këtij komisioni.
Një tjetër kërkesë e socialistëve është edhe që ky komision të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit. Një kërkesë tjetër thelbësore për Partinë Socialiste ndaj Partisë Demokratike do të jetë dhe mosdjegia e fletëve të votimit, si edhe moskrijimin e pengesave për materialin që ndodhet në kutinë e votimit.
TAKIMI
Rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, në Kryesinë e Kuvendit janë takuar dy nga zyrtarët më të lartë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në takimin që zgjati përreth 20 minuta mësohet se janë diskutuar modalitetet për nisjen e negociatave zyrtare midis dy forcave më të mëdha politike në vend. Palët kanë diskutuar mbi orarin e takimit dhe e kanë vendosur në orën 11:00 në Kryesinë e Kuvendit.
NEGOCIATAT
Mazhoranca do të shtrojë kërkesat e saj, ku përveç sugjerimit për dërgimin e çështjes së fletëve të votimit në gjykatë, do të kërkojë edhe ngritjen e Komisionit Elektoral paralel me Komisionin Hetimor për zgjedhjet.
Ndërsa socialistët do të fokusohen tek kërkesat e tyre zyrtare për ngritjen e një komisioni të ri hetimor, marrjen e shumicës dhe kryetarin nga opozita, si edhe mosdjegien e fletëve të votimit.
PRESIONI
PD-PD do të kenë një takim të dytë së shpejti që të shfrytëzohet e gjithë koha që ka ngelur përpara përfundimit të sesionit parlamentar. Nga të dyja partitë politike ka presion nga Parlamenti Europian që ngritja e Komisionit të ri Hetimor të bëhet brenda muajit korrik, pra brenda përfundimit të këtij sesioni parlamentar. Një gjë e tillë, nga ndërkombëtarët do të përkthehej si fillimi i zgjidhjes së krizës politike.
Mazhoranca do të kërkojë që paralel me hetimin e zgjedhjeve të kryhet edhe reforma elektorale
PD: Të ngrihet komisioni për reformën elektorale
TIRANË - Partia Demokratike pritet që të lëshojë terren gjatë negociatave të reja me kushtin që të marrë konsensusin e opozitës për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, por edhe për një kleçkë tjetër. Partia Demokratike do të kërkojë edhe ngritjen e një Komisioni Elektoral paralel me Komisionin Hetimor për zgjedhjet.
Komisioni Elektoral është një kërkesë e hershme e PD, por edhe e LSI-së, në mënyrë që të bëhet reforma e Kodit Zgjedhor. Madje, partia që e ka kërkuar më shumë këtë gjë është LSI, e cila është e pakënaqur me Kodin aktual.
Burime pranë krerëve të PD-së pohuan se do të kërkojnë ngritjen e këtij komisioni dhe nëse opozita do të ketë shumicën në komisionin hetimor, PD do të ketë shumicën në komisionin e reformës elektorale.
Të njëjtat burime saktësojnë se ky hap do të kërkohet për efekt kohor, që gjithçka të jetë gati përpara fillimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Por krijimi i dy komisioneve hetimore paralele do t'i lidhë ata në një marrëdhënie simbiotike shumë të vështirë.
Secila palë do të ketë shumicën dhe kryetarin e një komisioni dhe çështjet duhet të ecin në mënyrë paralele, sepse bllokimi i njërit prej tyre do të sjellë automatikisht bllokimin e tjetrit. Pra, nëse PD bllokon hapjen e kutive, PS do të bllokojë reformën elektorale dhe situata do të kthehet aty ku ishte, në mos më keq.