Grupi i kampiones

Grupi C i Kampionatit evropian 2012 në futboll do të zgjojë vëmendje të madhe për shkak të pranisë së kampionit në fuqi, Spanjës si dhe gjigantit tjetër, Italisë. Skuadra e Vicente del Bosques ka shkëlqyer gjatë fushatës kualifikuese duke fituar çdo përballje në rrugë drejt Polonisë dhe Ukrainës. Në fazën e grupeve, ata do të takohen me Italinë e ringjallur pas ardhjes së Cesare Prandellit në postin e selektorit. Kurse grupi kompletohet nga Kroacia, gjithnjë e rrezikshme dhe skuadra e papërshtatshme e Republikës së Irlandës.
Spanja
Spanja ka qenë skuadra më e mirë në futbollin botëror në katër vitet e fundit. Pas triumfit në Euro 2008 dhe Kampionatin botëror 2010, të gjithë e konsiderojnë ekipin e Vicente del Bosques si favoritin kryesor për triumf në Euro 2012. Sa i përket fushatës kualifikuese, Spanja kaloi pa problem në grup kundër Republikës çeke, Lihtenshtajnit, Lituanisë dhe Skocisë. Gjithçka nisi me fitore ndaj Lihtenshtajnit dhe Lituanisë 4-0, respektivisht 3-1. Më e vështirë ishte përballja kundër Skocisë, të cilën Spanja e fitoi 3-2. Spanja mposhti 2-1 dhe 2-0 Republikën çeke e më pas vazhdoi dominimi dhe fitoret e thella ndaj Lituanisë (3-1) dhe Lihtenshtajnit (6-0). Spanja e mbylli fushatën me fitore 3-1 ndaj Skocisë dhe bilanc të qindpërqindtë dhe golaverazh +20.
Italia
Pas zhgënjimit në Kampionatin botëror 2010, ku u eliminua në fazën e grupeve, Italia emëroi Cesare Prandellin për selektor të ri dhe synon të tregojë shenja të ringjalljes në Euro 2012. Sa i përket fushatës kualifikuese, Azzurrët ishin në grup me Estoninë, Ishujt Faro, Irlandën e Veriut, Serbinë dhe Slloveninë. Dueli i parë ishte në Estoni, ku Italia fitoi me rezultat 1-2. Më pas ata shkelën Ishujt Faro 5-0, kurse barazuan pa gola në udhëtim te Irlanda e Veriut. Por, vetëm disa ditë më vonë erdhi fitorja më e rëndësishme. Italia priti Serbinë në Genoa, takim i cili u ndërpre për shkak të trazirave të krijuara nga tifozët mysafirë dhe fitoi me rezultat zyrtar 3-0. Tri pikë të reja u siguruan me fitoren minimale 1-0 ndaj Sllovenisë. Kurse kualifikimi u konfirmua pas fitoreve rutinore ndaj Estonisë (3-0), Ishujve Faro (1-0), Sllovenisë (1-0), Irlandës Veriore (3-0) dhe barazimit 1-1 në Serbi.
Republika e Irlandës
Irlanda mungoi në Kampionatin botëror 2010, por siguroi pjesëmarrjen në Euro 2012. Në Grupin B shumëkush kishte pritur që Rusia dhe Sllovakia të luftonin për kualifikim në Poloni dhe Ukrainë, por ekipi i Giovanni Trapattonit i befasoi të gjithë në grupin e përbërë edhe nga Andorra, Armenia dhe Maqedonia. Irlanda filloi me fitore 1-0 në Armeni e më pas mori pikë të plota duke mposhtur edhe Andorrën 3-1. Por, Rusia i mundi 3-2 në Dublin, rezultat i cili u përcoll me barazimin e tyre 1-1 në Sllovaki. Fitoret e njëpasnjëshme në shtëpi dhe udhëtim kundër Maqedonisë e kthyen Irlandën në rrugën e duhur, por nuk ishte me fat në barazimet pa gola kundër Sllovakisë dhe Rusisë. Në ndeshjen e parafundit, ajo mposhti Andorrën 2-0, kurse në atë të fundit, vendimtare, Irlanda mposhti Armeninë 2-1 dhe përfundoi e dyta në grup me 21 pikë nga 10 ndeshje, dy më pak se Rusia. Në play-off kundër Estonisë, Irlanda fitoi 4-0 në Tallin para se të barazonte 1-1 në ndeshjen e kthimit.
Kroacia
Kroacia ishte në grup me Gjeorgjinë, Izraelin, Letoninë, Maltën dhe Greqinë. Gjithçka filloi me fitore të lehtë 3-0 ndaj Letonisë, që u përcoll me barazim pa gola me Greqinë. Tani erdhi fitorja 3-0 ndaj Maltës, që e ngjiti në pozitën e parë në grup. Por, në mars 2011, Kroacia humbi 10- në Gjeorgji, që ia zbehu shpresat. Skuadra e Slaven Bilicit nuk u dorëzua dhe fitoi tri ndeshjet e ardhshme kualifikuese; së pari kundër Gjeorgjisë 2-1, pastaj 3-1 kundër Maltës dhe në fund 3-1 përballë Izraelit. Shpresat për përfundim në pozitën e parë të Grupit F u goditën rëndë pas humbjes 2-0 në udhëtim te Greqia. Fitorja 2-0 ndaj Letonisë nuk mjaftoi për të përfunduar në krye, andaj u nevojit play-offi. Kroacia fitoi 3-0 në udhëtim ndaj Turqisë, kurse barazoi në shtëpi 0-0 për të siguruar pjesëmarrjen në Euro 2012.