E Shtunë, 31 Tetor 2026

FC Prishtina, veç fjalë

FC Prishtina viteve të fundit është marrë me disa nisma ‘gjigante’, saqë të gjitha ato kanë ngjallur debate jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin. Mirëpo, në përgjithësi ato kanë mbetur vetëm fjalë. Bardhekaltrit arsyetohen se të vetmuar, pa ndihmën e askujt, e kanë të pamundur të bëjnë mrekulli në futbollin kosovar, e posaçërisht në atë mbarëkombëtar.

Viteve të fundit, FC Prishtina vazhdimisht është marrë me disa nisma aq interesante, saqë të gjitha ato kanë ngjallur debate jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë. Por, deri më tash, bardhekaltrit nuk ia kanë dalë ta realizojnë asnjërën nga ato nisma të tyre.

FC Prishtina pati marrë nismën që Kombëtaren e Shqipërisë ta ‘strehojë’ në stadiumin e kryeqytetit për t’i zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare derisa të rindërtohet stadiumi ‘Qemal Stafa’ në Tiranë. Kjo pat ngjallur gëzim të madh te tifozeria kosovare. Por, tash kuqezinjtë janë duke e kërkuar një ‘strehimore’ tjetër, pasi udhëheqësit e FSHF-së kanë bërë të ditur se nuk llogarisin më në stadiumin e Prishtinës, sepse menaxhuesit e tij nuk i kanë krijuar kushtet për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare në të.

Një nismë tjetër e debatueshme nga FC Prishtina ishte ajo e formimit të turneut tradicional ‘Kupa e Mbretit’, i cili do të organizohej nën patronatin e Familjes Mbretërore Shqiptare, për të cilin trofe do të ballafaqoheshin mes veti skuadrat më të suksesshme të Shqipërisë, Kosovës dhe klube shqiptare nga vendet tjera të rajonit. Por, sot një turne i tillë nuk ekziston.

Iniciativa tjetër e FC Prishtinës, që ngjalli debat të madh në të gjithë vendet e rajonit, ishte ajo që nga Superliga e Kosovës të shpërngulet në Superligën e Shqipërisë me qëllim që të depërtojë në garat evropiane, pasi futbolli kosovar vazhdon të jetë i izoluar. Por, FIFA e UEFA ia tërhoqën vërejtjen FSHF-së se kjo nismë e prishtinasve nuk guxon të ndodhë dhe kjo mbeti vetëm nismë e asgjë më shumë, pasi bardhekaltrit vazhdojnë të luajnë në izolim.

Po ashtu, kryeqytetasit morën iniciativën për ta bërë skuadrën e tyre sikur ato evropiane, duke e sjellë trajnerin gjerman Wolfgang Jerat. Por, vetëm pas katër muajve, ai u shkarkua, derisa ekipi bardh e kaltër vazhdon të udhëhiqet sikur më parë nga një trajner kosovar.

FC Prishtina nuk i ka realizuar as disa iniciativa tjera si: bërja e ndryshimeve në Federatën e Futbollit, formimi i Shoqatës së Klubeve, e cila do t’i merrte kompetencat nga Federata për t’i organizuar vetë garat, sjellja në kryeqytet e ndonjë klubi të njohur evropian për ta zhvilluar ndonjë miqësore, mbulimi i tribunës perëndimore, etj.

Asnjëra prej këtyre nismave nuk e arritën cakun. E për këtë shpjegime jep nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi. “Stadiumi është pronë e Komunës, kurse FC Prishtina e shfrytëzon. Ne i kemi hap dyert e Kombëtares, por as Presidenca, as Qeveria, as Ministria e Sportit, as Komuna, as FFK-ja nuk kanë shpreh gatishmëri për të na ndihmuar, por kanë heshtur. Vetë është e pamundur të kryhet një punë e tillë. Kështu ne bëmë një hap prapa prej FIFA-s e UEFA-s e njëkohësisht e dëshpëruam shtetin amë dhe për këtë po dihen fajtorët”, tha ai.

“Sa i përket ‘Kupës së Mbretit’ e pjesëmarrjes sonë në Superligën e Shqipërisë, askush nuk na doli në ndihmë, por zyrtarët e FFK-së dilnin me deklarata të ulëta duke i quajtur idetë tona qesharake, e në fakt ato ishin të pëlqyera nga të gjithë dashamirët e vërtetë të futbollit mbarëkombëtar”, shtoi Muçiqi.

Ai foli edhe rreth çështjes ‘Wolfgang Jerat’. “Nuk jemi penduar që e kemi sjellë në skuadrën tonë për ta sjellë një frymë evropiane. Por, ne e kemi një fjalë: ‘Iriqin hiqe nga thera, ai prapë në thera shkon”, pohoi ai.

Muçiqi pohoi se klubi i tij gjithmonë do të plasojë ide që për qëllim kanë ta përforcojnë futbollin mbarëshqiptar, e posaçërisht atë ndërkombëtar, me shpresë që edhe institucionet tjera ta ndryshojnë qasjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›