Guantanamo/ SHBA liron të burgosurin më të vjetër, Saifullah Paracha, akuzohej për sulmet e 11 shtatorit

I burgosuri më i vjetër i Guantanamos është liruar, pas gati dy dekadash. Saifullah Paracha, 75 vjeç, u arrestua dy vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA dhe u akuzua si simpatizant i Al-Kaedës.
Paracha u dyshua për financimin e grupit xhihadist, por deklaroi se ishte i pafajshëm dhe nuk u akuzua më kurrë. Burgu ushtarak amerikan në Kubë dikur strehonte qindra militantë të dyshuar të kapur pas sulmeve.
” Saif Ullah Paracha, një shtetas pakistanez, i cili u ndalua në Gjirin e Guantanamos, është liruar dhe ka arritur në Pakistan të shtunën, 29 tetor 2022,” tha ministria e jashtme e Pakistanit.
“Ne jemi të kënaqur që një shtetas pakistanez, i ndaluar jashtë vendit, më në fund është ribashkuar me familjen e tij”,- thuhet më tej në deklaratë.
Clive Stafford-Smith, avokati i Paracha, pyeti se pse ishte dashur kaq shumë kohë që klienti i tij të lirohej.
Paracha u kap në korrik 2003 në Tajlandë, pas një operacioni të ashpër nga FBI-ja. Paracha, i cili studioi në SHBA, u akuzua nga autoritetet amerikane se kishte kontakte me disa nga figurat më të larta të grupit, duke përfshirë udhëheqësin e tij Osama bin Laden dhe Khalid Sheikh Mohammed.
Pas 14 muajsh në një burg ushtarak amerikan në Bagram, Afganistan, ai u transferua në Guantanamo. Burgu sekret ushtarak amerikan është përdorur për të mbajtur ata që Amerika i përshkruan si luftëtarë të paligjshëm të kapur gjatë “luftës së saj kundër terrorit”.
Presidenti i SHBA Joe Biden është nën presion për të pastruar të burgosuritnga personat që nuk u është bërë ndonjë akuzë, për të vazhduar me gjyqet ndaj atyre që akuzohen për lidhje të drejtpërdrejta me Al-Kaedën.
Administrata Biden miratoi lirimin e Paracha vitin e kaluar, së bashku me atë të një shtetasi tjetër pakistanez, 55-vjeçarit Abdul Rabbani, si dhe jemenasit, Uthman Abdul al-Rahim Uthman, 41 vjeç.
Deklarata nga ministria e jashtme pakistaneze nuk e përmend Rabbanin.
Janë ende 35 persona të mbajtur në Guantanamo – duke përfshirë Khalid Mohammedin, i quajtur si “arkitekti kryesor i sulmeve të 11 shtatorit” në Raportin e Komisionit të 11 shtatorit. BBC
/rtsh.al/