E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

NATO synon vendosjen e armëve taktike në bazat e Evropës, Moska: Do ulte pragun bërthamor

Kërcënimi bërthamor midis Rusisë dhe SHBA-së po përshkallëzohet. Moska ka shprehur shqetësimin se vendosja e përshpejtuar nga SHBA-të të armëve bërthamore taktike të avancuara B61 në bazat e NATO -s në Evropë do të ulte “pragun bërthamor” 

SHBA njoftoi se këtë muaj do të përshpejtonte vendosjen e armëve të modernizuara, të cilat do të mbërrijnë në bazat evropiane në dhjetor, ndaj Rusia ka paralajmëruar se do ta marrë parasysh këtë lëvizje në planifikimin e saj ushtarak. 

“Ne nuk mund të injorojmë planet për të modernizuar armët bërthamore, ato bomba me rënie të lirë që janë në Evropë. Shtetet e Bashkuara po i modernizojnë ato, duke rritur saktësinë e tyre dhe duke reduktuar fuqinë e ngarkesës bërthamore, domethënë, ato i kthejnë këto armë në armë të fushëbetejës, duke ulur kështu pragun bërthamor,” tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë vazhdimisht se do të mbrojë territorin e Moskës duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë armët bërthamore, nëse sulmohet.

Nga ana tjetër SHBA ka thënë se vendosja e përshpejtuare armëve synon të forcojë parandalimin e saj bërthamor me armët e reja. 

Pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi konfrontimin më serioz midis Moskës dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane në vitin 1962, kur dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë iu afruan një lufte bërthamore.

Rusia ka rreth 2000 armë bërthamore operacionale, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rreth 200 armë të tilla, gjysma e të cilave janë në baza në Itali, Gjermani , Turqi , Belgjikë dhe Holandë.

Bomba B61-12 mbart një kokë bërthamore me rendiment më të ulët se versionet e mëparshme, por është më e saktë dhe mund të depërtojë nën tokë, sipas hulumtimit nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë .

“Shtetet e Bashkuara po i modernizojnë ato, duke rritur saktësinë e tyre dhe duke reduktuar fuqinë e ngarkesës bërthamore, domethënë duke i kthyer këto armë në “armë të fushëbetejës”, duke ulur kështu pragun bërthamor,” ngriti shqetësimin Grusko.

Armët bërthamore taktike përdoren në distanca relativisht të shkurtra. Kjo i dallon nga bombat bërthamore “strategjike”. Në Luftën e Ftohtë, këto ishin bombat që dy superfuqitë, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, mund të lëshonin në distanca të gjata kundër njëra-tjetrës. Armët bërthamore taktike përfshijnë shumë lloje të armëve – bomba të vogla dhe raketa.

Këto armë besohet se gjenden në objektet e magazinimit, dhe ende nuk janë të dislokuara, pra të vendosura në bazat e raketave dhe bombarduesve, ose në nëndetëse. Ekspertët janë të shqetësuar se Rusia mund të jetë më e gatshme të përdorë armë taktike të vogla sesa raketa strategjike të mëdha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›