E Diel, 1 Nëntor 2026

Gucati: Organizata e Veteranëve kërkon të mos keqpërdoren simbolet e UÇK-së për qëllime politike në Tiranë

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së gjatë protestës disaditore që po zhvillohet në Tiranë.

Përmes një reagimi publik, Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), e cilësoi të papranueshme përdorimin e emrit dhe simbolikës së UÇK-së nga individë apo grupe që, sipas tij, ndër vite kanë tentuar të zbehin dhe të devijojnë vlerat e luftës çlirimtare.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së shpreh publikisht shqetësimin e saj për përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë.

Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare”, thekson ai.

Sipas tij, “OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake”.

Gucati shkruan me tej se “OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së”.

Ai nënvizon se “UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›