E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruktohet kanali ujitës Kotërr-Kakarriq, përmirësim furnizimit me ujë për tokat bujqësore

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Në Lezhë vijon puna për rikonstruksionin e kanalit ujitës, dega kryesore Kotërr-Kakarriq, një investim i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe rritjen e sigurisë së aktivitetit bujqësor në zonë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ministri i Mbrojtjes, njëkohësisht drejtues politik i PS i qarkut, Ermal Nufi dhe kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu inspektuan nga afër punimet që po kryhen.

“Rikonstruksioni i plotë i kanalit, në një gjatësi prej mbi 5 kilometra, do të përmirësojë furnizimin me ujë për tokat bujqësore, duke rritur eficiencën e sistemit të ujitjes dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë me potencial të lartë prodhues”, tha Salla.

Ministri Salla u shpreh se “ky investim prek një zonë të konsiderueshme për vaditjen. MZHBR dhe Bordi i Kullimit po krijojnë një mundësi shumë të mirë për fermerët dhe gjithë këtë zonë që mbulon ky investim”.

Ditën e djeshme Salla inspektoi në bashkinë e Kurbinit përfundimin e punimeve për rehabilitimin e kanalit ujitës KU-15, investim i rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në zonë.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›