E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gudelj, 100 000 euro për stolin e Tiranës

Kroati që donte të bëhej prift, që ishte aktor në fëmijëri, lojtari më i mirë i Evropianit të të rinjve më 1979 dhe mik me Maradonën në Botërorin e të rinjve më 1980, besohet të afrohet tek bardheblutë. Më 1981 u bë kapiteni më i ri në historinë e përfaqësueses ish-jugosllave, ndërsa më 2001 fitoi si trajner medaljen e bronzit në Evropianin U16 me Kroacinë e tij

TIRANË - Një kandidat për prift dhe një ish-futbollist që në rini të vet u stërvit nga babai i Zvonimir Bobanit, mund të jetë trajneri i ri i Tiranës. Pas emrave të Vjekosllav Lokicës, Matjazh Kekut del edhe ai i kroatit Ivan Gudelj, i mbiquajtur “polivalent” në ish-Jugosllavi. Dikur mesfushor me tipare më shumë mbrojtëse, Gudelj luajti më 1980 në kampionatin botëror të të rinjve pranë të madhit Diego Maradona. Një vit më parë, më 1979 në Vjenë, ai u shpall lojtari më i mirë i Kampionatit Evropian të të rinjve, ndërsa në moshën 21-vjeçare u bë kapiten i përfaqësueses së Jugosllavisë.

Në ligën federale jugosllave debutoi në moshën 16-vjeçare, por ylli perëndoi shpejt, vetëm 26 vjeç, për shkak të hepatitit B, si lojtar i Hajdukut të Splitit.

Reali e Barcelona

Një parakontratë me Bordonë në Francë nuk arriti të konkretizohej kurrë, por siç shkruan “Sllobodna Dalmacija”, Ivani pati ofertë edhe nga Reali i Madridit. “Do të kishte qenë kulmi i karrierës të kisha luajtur për klubin e mbretërorëve”, - u shpreh Gudelj për gazetën e Splitit. Ndërsa në një intervistë për “Nacionalin” pohoi se “Reali e Barcelona u interesuan për mua, ashtu si klube të mëdhenj italiane, por unë doja të luaja në Spanjë”. Një tjetër kulm ishte më 1982, kur gazeta franceze “L’Ekip” e përfshiu në 11-in më të mirë të Botërorit, ku shënoi edhe golin e vetëm të Jugosllavisë ndaj Spanjës.

Ndoshta Gudelj nuk është një trajner i madh, por medalja e bronzit në Kampionatin Europian me Kroacinë U16 në Angli më 2001 (në ekip ishte Niko Kranjçar) flet mjaft. Drejtoi skuadra jo shumë të njohura si Uskoku (e ngjiti në kategorinë e parë), Zadarin, Dubrovnikun dhe Forvertsin e Shtajrit në Austri para se të bëhej trajner i skuadrës së tij të zemrës, Hajdukut më 2005-2006. Djaloshi donte të bëhej prift në vegjëli dhe si fëmijë mori pjesë në serialin televiziv “Prosjaci i sinovi” (Lypësit dhe fëmijët). “Këndova në kor bashkë me disa fëmijë të tjerë, por kënduam kaq keq saqë na zunë me gurë dhe u detyruam të iknim me vrap”, - shpjegon Gudelj. Aty ai ra në sy gjatë ikjes sepse ... ishte më i shpejti nga të gjithë.

100 000 euro rroga

Pavarësisht se as nga klubi dhe as nga trajneri nuk është thënë asgjë për rrogën që mund të marrë trajneri i ri, sërish diçka dihet. Pagesa e kërkuar nga trajnerët e huaj ka qenë 10 000 euro në muaj dhe besohet shumë se për Gudeljin mund të shkojë deri në 100 000 euro në sezon. Këtë e pohuan dje burime shumë pranë klubit bardheblu. Ndërsa presidenti Refik Halili deklaroi për mediat se “çështja e trajnerit do të zgjidhet deri të hënën”. Halili e kishte dhënë një afat të parë, të mërkurën e kaluar, por ky u shkel.

Rival me Sllaven Biliçin

Para se të caktohej trajner i Hajdukut më 2005, Gudelj ishte konkurrent për t’u bërë trajner i Kroacisë U21, por atë e drejtoi në atë kohë Sllaven Biliç. Ndërkaq, karriera e tij, jo sportive, përfshin edhe diplomën në fakultetin e kinezologjisë në universitetin e Zagrebit, diçka e rrallë për të cilën Gudelj thotë se “më ka dhënë kënaqësi shumë të madhe”.

Trajner i skuadrës së priftërinjve

“Po, kam qenë trajner i përfaqësueses së priftërinjve të Kroacisë”, - thotë Ivani gjysmë me të qeshur. “Një ide e shkëlqyer e të ndjerit Branko Kanizhaj, - vazhdon ai, - ndeshjen e parë e luajtëm nga priftërinjve austriakë dhe në stadium ishin 10 000 tifozë”. Jo keq për priftat.

Kandidatët shqiptarë

Luan Sengla duket kandidatura kryesore ndër shqiptarët, ndonëse mund të mos jetë i vetmi. “Aksionet e tij janë rritur edhe më shumë kohët e fundit”, - deklaroi një burim brenda Tiranës. Vetë Sengla nuk ka dëshirë të prononcohet, edhe pse është i përfshirë në ndeshjen finale të kampionatit të të rinjve. Skuadra e tij Olimpiku U19 do të luajë sot finalen ndaj Shkëndisë në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamzë, pasi fitoi gjysmëfinalen ndaj Vllaznisë 4-3, të mërkurën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›