Ndoka: Kujdes me tubacionet!

Gjatë kësaj jave, në qendrën shëndetësore të Poliçanit u trajtuan një numër i konsiderueshëm pacientësh me probleme gastrointestinale. Shkaku kryesor që mendohet të ketë shkaktuar këtë epidemi, është ndotja e ujit të pijshëm. Simptomat e të sëmurëve të shtruar në spital kanë qenë kryesisht temperaturë, diarre dhe dhimbje barku. Për t’u njohur nga afër me situatën e krijuar, pas shtrimit në spital të dhjetëra qytetarëve me probleme serioze, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, vizitoi dje qendrën shëndetësore të këtij qyteti. Në radhë të parë ai falënderoi dhe përgëzoi mjekët për gatishmërinë, përkushtimin dhe aftësinë që treguan në përballimin e situatës, deri në normalizimin e plotë të gjendjes. Sipas specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë, shkaku i infeksionit të banorëve të Poliçanit mund të kenë qenë tubacionet e amortizuara të rrjetit të ujësjellësit. Këto tubacione kanë qenë shkak i shfaqjes së epidemive të tilla edhe herë të tjera në qarkun e Beratit. Ministri Ndoka i bëri thirrje pushtetit vendor, që të tregojë më shumë kujdes në klorifikimin e ujit të pijshëm, si edhe në verifikimin e problemeve të tubacioneve të dëmtuara. Me urdhër të ministrit Ndoka u ngrit në mënyrë urgjente një grup pune, i cili po merret me analizimin e shkaqeve që krijuan këtë situatë. Ky grup pune përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të Institutit të Shëndetit Publik dhe specialistë të spitalit të Beratit, ku rreth 70 persona u paraqitën me të njëjtën sindromë. Specialistët e MSH-së morën disa mostra të ujit të pijshëm, për të analizuar nëse është ky shkaku i vërtetë i infektimit të banorëve. Për sa i përket gjendjes aktuale të pacientëve, të cilët u paraqitën me probleme gastrointestinale të formës së lehtë, gjithçka është e normalizuar. Për përballimin dhe normalizimin e situatës, një meritë të veçantë ka spitali i rajonit të Beratit. Ministri Ndoka bëri një vizitë edhe në spitalin e këtij rajoni dhe përgëzoi stafin mjekësor për gatishmërinë dhe profesionalizmin maksimal që ata treguan në përballimin e situatës së krijuar.