E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guida e Tiranes nga sot ne duart e operatoreve turistike

Bashkia e Tiranës ka prezantuar Guidën Turistike të Tiranës, e cila nga sot do të jetë në duart e operatorëve turistikë. Në këtë guidë në gjuhën angleze, turistët do të mund të gjejë informacionin e nevojshëm gjatë qëndrimit në Tiranë. Pak histori për kryeqytetin, vendet që duhen vizituar dhe monumentet që duhen parë, hotelet, restorantet , qendrat tregtare, aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot dhe një hartë e qytetit.

Kryebashkiaku Basha ka shprehur vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të investuar në objekte të trashëgimisë historike dhe kulturore, të cilat janë lënë prej vitesh në harresë por që janë mjaft tërheqëse për turistët.

“Në emër besoj të shumë përfaqësuesve të shoqatave turistike, agjencive të udhëtimit, agjencive turistike të cilat kanë disa kohë që janë bërë me dy kalime. Deri para pak kohësh organizonin dhe së fundmi me shumë sukses, pas heqjes së vizave, ture për shqiptarët jashtë ndërsa siç po shikojmë nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë vizitorë dhe turistë po i drejtohen vendit tonë, po i drejtohen Tiranës.

Tirana ka shumë për të ofruar dhe angazhimi im, që në fillim të marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë, ishte që Tirana të mos mbetej një pikë automatike e itinerarit të vizitorëve që vinin për të shijuar për shembull bregdetin apo malet, apo destinacionet e vjetra historike si Kruja, Berati, Shkodra por të kthehet në një destinacion të mirëfilltë turistik. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një ambicje apo me një dëshirë të lidhur me bukuritë poetike të Tiranës.. Kjo ka të bëjë me një objektiv shumë konkret, me krijimin e mundësive që turizmi në Tiranë të dyfishohet si industri deri në vitin 2015 apo thënë më shkoqur që deri më 2015, industria e turizmit, përmes aktivitetit të saj në Tiranë të mundësojë hapjen e jo më pak se 20 mijë vendeve të reja të punës, në vetë sektorin e saj dhe në të jgithë pjesët e tjera që tërheq pas zinxhir, restorante, hoteleri, biznesin e vogël, dyqanet e shumë e shumë të tjera”, u shpreh kryebashkiaku Basha. 

Në vlerësimin e tij, ky është sot një objektiv shumë i arritshëm.

“Ne kemi parë se si në qytet prej disa muajsh kanë filluar ture grupe turistësh nga Skandinavia, Kina, Japonia, Koreja, Amerika e Veriut dhe vende të tjera të BE. Sot, me këtë instrument ne u vijmë në ndihmë dhe bëjmë detyrën tonë si Bashki e Tiranës duke u ardhur në ndihmë këtyre operatorëve turistikë, për të bërë të mundur një organizim  më të mirë të itenerarit turistik të Tiranës. Është një itenerar që dy vitet e fundit është thuajse trefishuar, p.sh me nxjerrjen në pah të vlerave historike, si këtu ku jemi ulur, themelet e vjetra të Kalasë së Tiranës apo tek Mozaiku i Tiranës por edhe me ndërtimin e pikave të tjera të referencës, siç është Memoriali i Shqiponjës, Memoriali i Shpalljes së Pavarësisë, Memoriali Post-Bllok dhe shumë e shumë pika të tjera të investuara edhe me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, por që ju siguroj, nuk do të mbetemi këtu”, theksoi Basha. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›