E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, takimi i tretë për zbatimin e marrëveshjes

PRISHTINE- Në Bruksel u zhvillua takimi i tretë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së. 

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga zv/kryeministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e Dialogut për zbatimin e marrëveshjes për normalizim nga data 10 deri më 14 qershor, qëndroi në Bruksel ku zhvilloi bisedime për zbatimin në praktikë të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, bëhet e ditur në komunikatën zyrtare nga qeveria kosovare. 

Në axhendën e bisedimeve ishin çështjet e drejtësisë, sigurisë, procesi i krijimit të asociacionit dhe zgjedhjeve lokale. Në përfundim të bisedimeve për këtë raund, zv/kryeministrja Tahiri deklaroi se procesi i bisedimeve ka vajtur mirë dhe është krijuar një bazë e mirë e pajtimeve që gjatë javës së ardhme të përfundoj Plani i detajuar i zbatimit të marrëveshjes, plan ky që do të parasheh obligimet e secilës palë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim si dhe afatet kohore për realizimin e këtyre obligime. 

“Obligimet e palës serbe kanë të bëjnë me zhbërjen e strukturave ilegale serbe në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, ku shuarja e plotë duhet të realizohet gjatë shtatorit, respektivisht me 01 shtator shuhen strukturat ilegale të drejtësisë dhe më 30 shtator ato të sigurisë. Po ashtu, është definuar i tërë procesi i zhbërjes, përmes një procesi gradual me përfundim në shtator, si dhe që pala serbe gjatë qershorit do të marrë vendim qeveritar për ndaljen e financimit të strukturave ilegale ashtu siç parashihet në marrëveshjen për normalizim dhe planin për zbatim”, deklaroi Tahiri. 

Sipas saj, obligimet e palës së Kosovës lidhen me integrimin e individëve serb në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë të Republikës së Kosovës. “Është paraparë që përmes një procesi gradual, duke respektuar procedurat dhe kriteret sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës si dhe duke marrë parasysh kapacitetet absorbuese do të realizohet procesi i integrimit të qytetarëve serbë në institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës”, tha Tahiri. 

Ajo shtoi se, në kuadër të obligimeve të palës së Kosovës është emërimi i Komandanti rajonal për katër komunat me shumicë serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila pritet të bëhet në fillim të javës tjetër.
“Ne jemi zotuar që këtë obligim do t’i realizojmë në afatin e paraparë dhe në harmoni me procedurat ligjore të Kosovës dhe me Marrëveshjen për Normalizim, respektivisht Ministria e Punëve të Brendshme do ta bëjë emërimin”, theksoi Tahiri
“Me këtë rast ne kemi shprehur gatishmërinë tonë si Qeveri e Kosovës që të integrimi të realizohet me sukses sepse vlerësojmë se zbatimi i marrëveshjes për normalizim është në interesin e qytetarëve dhe të perspektivës evropiane për shtetin tonë”, tha ajo. Zv/kryeministra Tahiri bëri të ditur se ka pasur përparime në çështjen e përgatitjeve për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe si rezultat konkretet është krijimi ekipit menaxhues i cili ka për obligim që të përgatisë procesin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në katër komuna pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës. Anëtarët e ekipit menaxhues janë përfaqësues nga administrata komunale e katër komunave. Ekipit Menaxhues për themelimin e Associacionit është në ketë përbërje: Igor Kalamar, Ljubomir Mariæ, Dragan Jablanoviæ, Dejan Radojkoviæ. 

“Po ashtu, gjatë ditës se djeshme Delegacioni i Republiksës së Kosovës ka zhvilluar takime me OSBE-në ku përfaqësuesit e KQZ-së dhe ata të OSBE-së kanë diskutuar për rolin lehtësues të OSBE-së në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tërë Kosovën në vjeshtë. Në kuadër të zgjedhjeve lokale, pritet që OSBE do të jap ndihmesën e sajë në katër komunat me shumicë serbe, ashtu siç është definuar në Planin për zbatim. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i mirë midis Kosovës dhe OSBE-së si dhe u vlerësuan të rëndësishme përvojat nga e kaluara”, tha Tahiri.
Delegacioni i Kosovës me këtë rast u shpreh se ne kemi mirëpritur gatishmërinë e OSBE-së për të marrë këtë rol lehtësues, ndërsa zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjithë Kosovën dhe do të shpallen në mënyrë zyrtare nga ana e institucioneve te Republikës së Kosovës. KQZ-ja është ajo e cila sipas mandatit të vet do të realizojë procesin zgjedhor në tërë Kosovën, kurse OSBE-ja në këtë rast do të ketë një rol mbështetës apo ndihmues. 

Bisedimet vazhdojnë javën e ardhshme duke filluar nga e hëna dhe sipas dinamikave të parapara nga Bashkimi Evropian, pritet të përfundojnë nga gjysma e dytë e javës që vjen.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›