E Diel, 1 Nëntor 2026

Gunter Grass nuk ndryshon qëndrim

Shkrimtari gjerman Gunter Grass ka mbrojtur qëndrimet e shprehura në një poezi kritike ndaj Izraelit. Grass është shprehur se ka simpati të madhe për Izraelin, por është kundër sulmeve atomike.

Nobelisti gjerman i letërsisë, shkrimtari Gunter Grass ka hedhur poshtë kritikat që i janë drejtuar pas botimit të poezisë kritike për Izraelin. Ai nuk ndryshon qëndrimin e tij, se Izraeli me armët atomike rrezikon paqen botërore, ka thënë Grass. "Nëse Izraeli - ndoshta me të ashtuquajturat bombat konvencionale dhe koka shpërthyese do të sulmojë centralet atomike iraniane, kjo mund të çojë në një luftë të tretë botërore". Kështu është shprehur Grass të enjten për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.

Me poezinë e tij politike, Grass thotë se ka dashur të bëjë thirrje që si Izraeli ashtu edhe Irani t'i nënshtrohen kontrolleve ndërkombëtare. Grass është shprehur se është kundër një goditjeje preventive. Si gabim, Grass ka pranuar vetëm që në poezinë e tij përmendet Izraeli dhe jo konkretisht qeveria izraelite. Ai ka simpati të madhe për Izraelin, ka thënë Grass, dhe dëshiron mbijetesën e Izraelit edhe në të ardhmen.

Shkrimtari 84 vjeçar u shpreh se askush nuk ballafaqohet me përmbajtjen e poezisë. Në poezinë me titull "Çfarë duhet thënë", Grass akuzon "fuqinë atomike Izrael" se me politikën që po ndjek ndaj Iranit po rrezikon paqen botërore. Ky tekst, i cili u botua të mërkurën në tri gazeta shkaktoi një valë të fortë reagimesh dhe indinjatë në mbarë botën.

Grass kritikon median

Ndërsa në një intervistë të dhënë të enjten në mbrëmje për televizionin e parë gjerman, ARD, Grass u shpreh se ‘konstatoj se në një vend demokratik si Gjermania, ku sundon liria e shtypit, është bërë parësor njësimi i opinioneve’.

Në intervistën për ARD Grass u shpreh se e kishte pritur debatin. Madje ai vetë kishte shpresuar për ndezjen e debatit, sepse disa gjëra duhen thënë, është shprehur Grass. "Por ajo që po përjetoj është një shtyp i njësuar. Nuk ka zëra kundër. Marr me shumicë E-maile nga njerëz që janë të një mendimi me mua. Por kjo nuk del në opinionin publik. Ajo që bie në sy pastaj është natyrisht mosmarrja me përmbajtjen, me faktet, ato duhet të kundërshtohen. Për shembull tema e tabuizuar që Izraeli është një fuqi atomike prej shumë kohësh e jashtë çdo lloj kontrolli"

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›