E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katedralja e Halilit

Në hapësirën e qendrës Multimedia, të premten mbrëma, u promovua libri ‘Katedralë letre’ i Halil Matoshit. Ky libër, sipas kritikëve, është i pazakonshëm, sepse s’është libër për një temë, por për një tog dukurish që e mbizotërojnë jetën shoqërore në Kosovë.

Nuk është katedrale e ndërtuar me tulla por është ndërtuar nga letra. Libri i Halil Matoshit, i titulluar ‘Katedralë letre’, i botuar nga shtëpia botuese ‘Elta BS’, u promovua të premten në hapësirën e qendrës Multimedia. Të pranishëm, në teatrin më të ri në Prishtinë, të cilin Matoshi, me humor, e quajti teatër i absurdit, qenë miq dhe kolegë gazetarë të autorit.

Redaktori i librit, gazetari Enver Robelli u shpreh se ky libër i Halil Matoshit është i pazakonshëm, sepse nuk është vepër për një temë, por për një tog dukurish që mbizotërojnë, madje shpesh ia zënë frymën jetës shoqërore në Kosovë.

“Përmes copëzave të mozaikut, kryesisht të vrazhdë, autori i ofron lexuesit një enciklopedi të vogël të përditshmërisë, mbi të cilën bie hija e së kaluarës. Ky libër i pazakonshëm s’do të shkruhej nga një autor i zakonshëm. Matoshi s’është i tillë. Ai është një vrojtues me kast i shumë fenomeneve që në një shoqëri të lodhur, të varfër dhe me uzdajë të këputur jo kujtdo i bien në sy”, tha Robelli.

Ai shtoi se në këtë libër autori Halil Matoshi mëton ta popullarizojë filozofinë, duke e zbritur atë në tokë, mes publikut.

“Kur shikon nga ky kënd, autori vjen në përfundimin, jo edhe aq befasues, se ngushtim i lirisë është edhe përdhosja e hapësirës jetësore, mungesa e përgjegjësisë ndaj ambientit, siç jemi dëshmitarë në decenien e fundit”, tha Robelli.

Ndërkaq, gazetari Bekim Kupina, i cili është edhe njëri prej recensentëve të librit, u shpreh se pothuajse në pjesën më të madhe të librit autori e përdor shtëpinë si çelës të gjithçkaje në botën kosovare, por edhe si kod shoqëror, entitet e shenjtëri. Ai shtoi se pse qyteti nuk ka dashuri për Halil Matoshin ka një arsye.

“Nëpërmjet shkrimeve eseistike, matshi tenton t’ia japë edhe një herë mundësinë qytetit të tij të rritës – Prishtinës që ta mendojë pse i duhet dashuria. Emocioni dhe arsyeja vijnë nga dy burime që ontologjikisht e kundërshtojnë njëra tjetrën. Por Matoshi, si asnjëherë më parë, dashurinë e kërkon nga nacionaliteti e nga arsyeja mundësinë për t’u dashuruar”, tha Kupina.

Ndërsa recensenti tjetër i librit, Avni Rudaku, theksoi se në pjesën e parë të shkrimeve, Matoshi i përqaset urbanes sikur të kishte sfond të kalitur nga literatura e sociologjisë urbane. “Ndërsa në shkrimet e tjera publicistike për Prishtinën dhe njerëzit e shquar të saj, rregullimin urbanistik të kryeqytetit të Kosovës, flet nga brenda tij dhe nga zemra, si vëzhgues, si udhëpërshkrues, si publicist dhe si letrar”, tha Rudaku. Sipas tij, Halili rebelohet nga ndjesia e vakët për urbanen.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti edhe vet autori, i cili i falënderoi ata që e kanë ndihmuar në botimin e librit, duke filluar nga Drejtoria për Kulturë e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ndërkaq, për librin nuk foli.

“Për librin s’kam çfarë të them. Merreni, shfletojeni, gjuajeni, veç mos e digjni”, tha shkurt Matoshi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›