Kryetari i Partisë Demokristiane, Anton Gurakuqi, tha dje se Nard Ndoka duhet të largohet nga posti që mban dhe nga politika. “Zoti Ndoka përbën një rast unikal në politikën shqiptare, por ai është gjithashtu një rast unikal në llojin e tij. Edhe pse thotë se ka vite që merret me politikë, ai vazhdon të ketë mentalitetin e një kryetari kooperative, të ketë vizion sa kryekomunari i komunës më të humbur në botë. Të merresh me z. Ndoka është humbje kohe, por njëkohësisht përbën edhe një detyrim ndaj shoqërisë për të zbuluar falsitetin e tij”, - tha Gurakuqi. Ai ka rreshtuar më pas tri arsye për largimin e Ndokës, njëra prej tyre është dhe ajo që Ndoka ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. “Së pari, ministrin aktual të Shëndetësisë e “mundon” falsiteti. Ai ka frikë, madje dridhet kur kujton apo dikush ia kujton se ka një detyrim ndaj shqiptarëve, ndaj vartësve të tij të Ministrisë së Shëndetësisë; publikimin e diplomës së tij të shkollës së mesme. Sot është e turpshme që për një ministër të vihet në diskutim e ka apo jo diplomën e shkollës së mesme. Është e turpshme për shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre, që të përfaqësohen me një njeri që nuk ka nivelin arsimor më minimal. Është e turpshme për ndërkombëtarët që në takimet me zotin Ndoka kanë përballë një njeri që ka falsifikuar jetën e tij. I vetmi që nuk ka turp është pikërisht ai, ministri aktual i Shëndetësisë, i cili mesa duket e kupton falsitetin si vlerë, falsifikimin si diçka të mbinatyrshme. Ne ndjejmë keqardhje për të!
Së dyti, zoti Ndoka ka një problem me të shkuarën e tij, për të cilën sërish është i detyruar t’i sqarojë shqiptarët. Këtë nuk e kam shpikur unë, as ne dhe as shqiptarët! E kam thënë edhe më parë se po të kërkosh në internet togfjalëshin “pseudonimi Kronometri” janë me dhjetëra faqe online që të nxjerrin se ky ka qenë pseudonimi i Nard Ndokës si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit. Kjo është e rëndë për të gjithë njerëzit me vlera, për të gjithë shqiptarët! As më shumë dhe as më pak, një njeri i qetë, i pastër, me një të shkuar jo të errët, qoftë edhe për një moment do të dilte para shqiptarëve dhe të shfajësohej, të largonte dyshimet! Por zoti Ndoka nuk e bën dot një gjë të tillë, nuk e bën dot, se ka frikë nga e shkuara. Ka frikë nga e vërteta, sepse ai është mësuar të jetë një “njeri fals”.
Së treti, zoti Ndoka ka një problem shumë të madh me veten e tij, sepse pozicioni si ministër provoi para gjithë shqiptarëve që ai është veçse një karrierist i sëmurë. Zoti Ndoka ka nevojë për kurim dhe në këtë rast mjekimi më i mirë është të rrijë pushim. Të dalë në pension politik dhe para se ta bëjë këtë duhet t’iu kërkojë falje të gjithë shqiptarëve, se i ka gënjyer me falsitetin e tij. Kjo është mënyra dhe shpresa e vetme që zoti Ndoka të pastrojë ndërgjegjen e tij, nëse edhe shqiptarët do e pranojnë këtë”, - tha Gurakuqi.