Guri i bashkohet ekipit të Bujqësisë për të çuar përpara negociatat me BE

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot, në një takim me stafin drejtues të ministrisë, zëvendësministrin e ri, Fatmir Guri.
Me një përvojë të pasur akademike, kërkimore dhe ndërkombëtare, Guri vjen në këtë detyrë me një profil të konsoliduar profesional, duke sjellë vlera të reja në angazhimin për modernizimin e bujqësisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Salla tha se, “zëvendësministri i ri i bashkohet ekipit të MBZHR-së në një moment vendimtar për vendin, menjëherë pas miratimit të Pozicionit Negociues për Cluster 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni””.
Në këtë kuadër, theksoi ministri, roli i tij pritet të jetë thelbësor në çuarjen përpara të detyrimeve për kapitujt 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural), 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare) dhe 13 (Peshkimi), në funksion të objektivave kombëtare të “Bujqësia2030” dhe “Shqipëria2030”.
Prezenca e Gurit në drejtim të politikave bujqësore vlerësohet si një hap pozitiv në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e integrimit evropian në sektorin e bujqësisë.
Profesor Fatmir Guri vlerësohet si një nga figura akademike më të njohura dhe më me ndikim në fushën e ekonomisë bujqësore dhe zhvillimit rural në Shqipëri. Ai është profesor i asociuar në Ekonominë e Burimeve Natyrore dhe Mjedisit në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ka doktoraturë në ekonomi, të marrë nga Supagro Montpellier në Francë si dhe ka bërë punë pasdoktorale në Institutin e Kërkimit të Komisionit Europian në Sevilje, Spanjë.
Kërkimet shkencore të tij, përfshijnë përdorimin e tokës, ekonominë e tokës në Shqipëri, efektet e dekolektivizimit, strategjitë e fermave, çmimet e tokës, dhe tipologjitë e sistemeve bujqësore. Ai është pjesë e rrjetave kërkimore ndërkombëtare që punojnë në fushat mesdhetare, përdorimin e tokës dhe zhvillimin rural, si RAFAC.
Ai ishte përgjegjës i departamentit të Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit (UBT).
1 nga 3/e.xh//r.e/