Gvozdenovic, i kënaqur me Skënderbeun

Skënderbeu ruan pozitat në kryes të klasifikimit pas barazimit në Vlorë. Ndalesa e Dinamos ditën e dielë është një asist për korcarët që nuk ndryshojnë pozicion. Ajo pikë e marrë nën qytetin bregdetar mund të jetë një biletë drejt Superiores. “Edhe një pikë na kënaq, pasi mbajmë në distancë sigurie rivalet tona. Kemi shanse të mira për Superioren”, tha Ivan Gvozdenovic.
Ivan Gvozdenovic e mori skuadrën në një moment të vështirë dhe grupi i është përgjigjur. Por a i pritste ai këto rezultate? “E gjithë merita i shkon djemve. Kur mbërrita këtu ishim shtatë pikë mbrapa dhe pasi mundëm Fierin fituam disi besim dhe më tej ndodhi ajo që keni parë edhe ju. Kemi përballuar ç’do sfidë javë pas jave”, tha trajneri i ekipit korçar.
Fundjavën e ardhshme është radha e Korabit, një tjetër sfidë shumë delikate por edhe një tjetër hap drejt fundit të sezonit kur duhen edhe 4 ndeshje për tu luajtur.
“Jam i bindur se do të bëjmë më të mirën pasi na ka mbetur edhe pak për të arritur në Superiore. Ky është një grup i mirë lojtarësh, të cilët kurrë nuk kanë pushuar së shpresuari”, u shpreh Ivan Gvozdenovic.