HAPËSIRË – Pas shumë dështimeve Starship niset me sukses drejt Hënës

TEKSAS, 14 tetor /ATSH-AFP/ – Pas një serie shpërthimesh, një tjetër histori suksesi për megaraketën Starship që po ndërtohet nga SpaceX.
Ky gjigant metalik, më shumë se 120 metra i lartë u ngrit në një re të dendur tymi në Teksas.
Kjo prove e sukseshme, e kryer me kontroll të shkëlqyer si ai i mëparshmi në gusht, i lejon kompanisë amerikane të ecë përpara pas një serie të trazuar testesh në fillim të vitit 2025 të shënuara nga shpërthime gjatë fluturimit.
Por ky sukses nuk i shuan shqetësimet në rritje në lidhje me progresin e raketës, e cila pritet të bëjë fluturimet e saj të para në Mars në vitin 2026 dhe t’u lejojë amerikanëve të kthehen në Hënë në vitin 2027.
Sipas një analize nga një panel ekspertësh të pavarur, versioni i modifikuar i Starship mund te ketë vite vonesë gjë që do ta shtynte më tej afatin për programin Artemis të NASA-s. Dhe kështu rrezikon që Shtetet e Bashkuara të tejkalohen nga Kina, një fuqi rivale që synon gjithashtu të dërgojë njerëz në Hënë deri në vitin 2030.
“Ashtu siç qëndrojnë gjërat, është shumë e pamundur që ne të shkojmë në Hënë para Kinës”, paralajmëroi Jim Bridenstine, ish-kreu i NASA-s, para një komisioni të Senatit në shtator, duke i kërkuar Uashingtonit të zhvillojë një Plan B.
Rreziqet janë edhe më të larta duke pasur parasysh se administrata Trump po flet hapur për një garë të re hapësinore, këtë herë kundër Kinës, duke i bërë jehonë asaj të zhvilluar kundër BRSS gjatë Luftës së Ftohtë.
Pavarësisht kritikave, Elon Musk shfaqet shumë optimist.
Ai ka revolucionarizuar tashmë industrinë hapësinore me raketat e tij të ripërdorshme të prodhuara në masë.
Me Starship, të projektuar për udhëtime ndërplanetare, ai synon edhe më lart, duke kërkuar të demonstrojë manovra teknike të parealizuara më parë.
Musk shpreson që së shpejti të jetë në gjendje të arrijë të furnizojë raketën e tij me karburant në hapësirë. Këto janë të gjitha sfida teknike që ai synon t’i kapërcejë përmes lëshimit të përsëritur të prototipeve të shumta.
Një metodë që e ka bërë të suksesshëm deri më tani, por që këtë herë mund të përballet me kufizimet e programit hënor të SHBA-së, veçanërisht pasi Elon Musk ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për t’i dhënë përparësi Planetit të Kuq, obsesionit të tij personal, mbi Hënën. /f.k/ /os/