E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis Maratona Kombëtare Speciale e Sigurisë Kibernetike

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, njoftoi sot se ka nisur Maratona Kombëtare Speciale e Sigurisë Kibernetike.

Sipas AKSK-së, kjo është një iniciativë e dedikuar për përfshirjen dhe fuqizimin e personave me nevoja të veçanta në fushën e sigurisë kibernetike.

Në një postim në rrjetet sociale, AKSK cilëson se përmes platformës SimSpace, pjesëmarrësit po angazhohen në trajnime praktike dhe sfida që synojnë ndërtimin e aftësive digjitale dhe profesionale.

“Kjo maratonë është pjesë e përpjekjeve të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për të promovuar mundësi të barabarta në teknologji dhe për të zbuluar talente të reja që mund të kontribuojnë në mbrojtjen kibernetike të vendit”, thuhet në njoftim.

AKSK bën me dije për ATSH-në, se aktualisht janë duke u zhvilluar tre maratona në kuadër të sigurisë kibernetike. Njëra është e dedikuar për personat me nevoja të veçanta, një tjetër për gratë dhe vajzat dhe e treta për të rinjtë e grupmoshës 16-24 vjeç.

Të tri maratonat do të zgjasin deri në dhjetor, muaj kur është përcaktuar edhe mbajtja e një ceremonie të veçantë për të gjitha kategoritë e përfshira në këto maratona.

Sipas AKSK-së, në këto maratona zhvillohen trajnime dhe sfida unike nëpërmjet platformës SimSpace, gjë që i përgatit të gjithë individët e përfshirë për sfidat kibernetike të së ardhmes.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›