E Diel, 1 Nëntor 2026

HIV, masa për kalimin e infeksionit nga nëna tek fëmija



Shqipëria mendon të implementojë shumë shpejt masat për parandalimin e transmetimit vertikal të infeksionit HIV-AIDS

Ministria e Shëndetësisë ka hartuar së fundmi një strategji parandaluese për transmetimin vertikal të HIV-AIDS. Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë thonë se shumë shpejt vendi jonë do të implementojë masat për parandalimin e transmetimit vertikal të infeksionit. Përmes testimit të grave shtatzëna, falë ndërhyrjeve që mund të bëhen me medikamente, do të jenë ndër masat kryesore që do të bëjnë të mundur parandalimin e transmetimit të kësaj sëmundjeje tek fëmijët.

Transmetimi

Ministria e Shëndetësisë evidenton se element tjetër i rëndësishëm është testimi sa më agresiv dhe mjekimi në fazë të hershme i infeksionit, që jo vetëm përmirëson kushtet dhe jetesën e personit të infektuar, por dhe ndikon në parandalimin e transmetimit të infeksionit.

Sipas të njëjtit burim, deklarohet se Shqipëria vazhdon të mbetet vend me prevalencë të ulët, në shifra nën 0.1 % (bazuar në studimet që janë bërë vitin e fundit). Ndërkohë, vlerësohet se megjithatë trendi i rasteve të reja është konsistent mbi 30 raste; ne këtë vit kemi mbi 35 raste të reja në vit, që është një tregues që vazhdon të ketë përhapje të infeksionit, por jo në shifra shumë të larta. Duke theksuar se "indikatorët e studimit tregojnë që risqet ekzistojnë", nënvizohet se "duhet të jemi të vëmendshëm në masat parandaluese, sidomos për ato që ne i konsiderojmë grupe në risk, grupe që paraqesin për arsye të kushteve sociale ekonomike apo mënyrës së tyre të jetesës, rreziqe për përhapjen e infeksionit".

Klinika

Aktiviteti i Klinikës Ambulatore pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, e hapur rreth një vit më parë, ka qenë dhe është shumë i suksesshëm. "Kjo, qoftë edhe në drejtim të aplikimit të terapisë antiretrovirale (ARV), ku janë mbi 110 pacientë që e marrin atë falas", -shprehen burimet. Kjo klinikë ofron mbështetje jo vetëm në aspektin mjekësor, por dhe psikosocial. Kjo klinikë është qoftë edhe një "strehë", ku çdo person i prekur apo familjarët e tyre, apo dhe persona të tjerë që ndjehen në rrezik, mund të gjejnë një vend ku të marrin shërbim në drejtim të testimit, apo dhe asistencë në drejtim të problemeve të tjera që mund të paraqesin. "Shpresojmë që kjo punë të rritet më tej, të zgjerohet gama e preparateve që ofrohen nga kjo klinikë, edhe pse dihet që janë shumë të shtrenjta. Sigurimi i medikamenteve antiretrovirale për personat që jetojnë me HIV/AIDS u bë i mundur në vitin 2004. Mjekimi me antiretrovirale sigurohet falas për të gjithë personat që kanë nevojë. Ndërkohë, duke filluar nga viti 2007, me mbështetjen financiare të Fondit Global, u bë e mundur ngritja e qendrave të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar në disa rrethe (Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan). Ofrimi i këtij shërbimi ka ndikuar në rritjen e numrit të personave të testuar vullnetarisht. Të dhënat nga MSH tregojnë se nga 250 persona të testuar vullnetarisht në vitin 2005, në vitin 2008 ky numër pothuajse është dhjetëfishuar, duke arritur në 2.184.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar zgjerimit të shërbimeve të ofruara për grupet vulnerabël, nëpërmjet forcimit të rrjetit të partnerëve dhe me pjesëmarrjen aktive të vetë grupeve vulnerabël. Sipas MSH, është vendosur një bashkëpunim i ngushtë me komunitetin rom, që ka për qëllim përmirësimin dhe shtrirjen e aktiviteteve të Informim-Edukim-Komunikimit, jo vetëm në Tiranë, por dhe në disa rrethe të tjera (Durrës, Berat, Pogradec, Lezhë, Shkodër, Fier, Elbasan). Këtë vit u bë e mundur dhe hapja e një qendre të re për terapinë zëvendësuese me metadon në qytetin e Durrësit dhe po planifikohet për hapjen e qendrave të reja dhe në dy rrethe të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›