Drejt përfundimit aplikimi për karta identiteti në burgje
Të hënën nis aplikimi në dy burgjet e fundit, Peqin e Krujë
Paraburgimet e Sarandës dhe Beratit aplikojnë pranë komisariateve
Përfundon aplikimi për karta identiteti në pjesën më të madhe të burgjeve dhe paraburgimeve në vend. Tashmë, procesi vazhdon të hënën vetëm në dy burgje, Peqin dhe Krujë, si dhe në paraburgimin e Sarandës dhe Beratit, dhe pritet që deri të martën këtij procesi t’i jepet fund në sistemin e burgjeve. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve, të cilët bëjnë të ditur se tashmë pjesa më e madhe e të dënuarve dhe të paraburgosurve ka kuponët e aplikimit në dorë dhe sipas procedurës, sapo kartat e identitetit të prodhohen, ato do t’u dorëzohen atyre në të njëjtën mënyrë siç dhe u shpërndahen shtetasve në liri. Të njëjtat burime të kontaktuara nga gazeta “standard” shprehen se procesi ka vijuar normalisht dhe të hënën apo të martën besohet se do të përfundojë plotësisht në sistemin e burgjeve, me aplikimet në burgjet e Peqinit dhe Krujës. “Janë instaluar aparaturat dhe ditën e hënë të dënuarit njëri pas tjetrit do vijojnë me aplikimet për karta identiteti. Me përfundimin e aplikimeve në dy burgjet përfundon edhe procesi i aplikimeve për karta identiteti për afro 5 mijë të dënuar dhe të paraburgosur në burgje”, - shprehet zëdhënësja për marrëdhëniet me shtypin në këtë drejtori, Blerina Gjerazi. Sipas saj, janë edhe dy paraburgime, ai i Sarandës dhe i Beratit, të cilët do fillojnë aplikimet javën e ardhshme, por që ky proces do të kryhet pranë komisariateve përkatëse, pasi edhe si paraburgime ndodhen në këto godina. Me përfundimin e aplikimeve në burgje, si dhe prodhimin e kartave të identitetit për të dënuarit dhe paraburgosurit, kjo kategori është gati për zgjedhjet e 28 qershorit. Procesi i aplikimeve në burgje ka filluar tri javë më parë në burgun 313-të dhe ka vijuar më pas në gjithë burgjet dhe paraburgimet në vend. Procesi merr fund javën e ardhshme, ndërkohë që pritet të shpërndahen edhe kartat e para të identitetit për të dënuarit në ditët në vazhdim. Ky proces u bë i mundur falë një marrëveshjeje të përbashkët të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me Ministrinë e Brendshme, për të mundësuar instalimin e aparaturave në mjediset e burgjeve dhe aplikimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në këto ambiente. Ata do të tërheqin kartat e gatshme në një sallë të lënë në dispozicion nga çdo burg për dorëzimin e kartave të identitetit. Kjo kategori personash, me vendim të Këshillit të Ministrave, përfiton pajisje me karta identiteti falas. Pajisja me karta identiteti u jep fund përdorimit të certifikatave. Një gjë e tillë u rregullua edhe me vendim qeverie së fundmi, që urdhëronte të gjitha institucionet shqiptare që të pranonin kartën e identitetit si dokument, duke evituar në këtë mënyrë përdorimin e certifikatave. Madje, heqja nga qarkullimi e certifikatave do t’i njoftohej edhe selive të huaja në vend, me qëllim evitimin e kërkimit të tyre ndaj shtetasve shqiptarë për pajisje me vizë.