HIV/AIDS, Clinton kërkon më shumë ndihmë financiare
Në kuadër të fushatës së nisur për luftën kundër HIV/AIDS-it dhe konferencës së saponisur ish presidenti amerikan, Bill Clinton, ka bërë thirrje për shtim të fondeve.
Kërkesën ish presidenti e ka argumentuar me mbajtjen të ulët të kostos së medikamenteve për personat që vuajnë nga HIV.
“Shtimi i fondeve është shumë i nevojshëm. Një rritje prej 50% ishte e domosdoshme për dy vitet e ardhshme”- tha Clinton në një konference botërore të AIDS-it.
Ai e krahasoi sëmundjen me një dragua duke thënë se ai duhet vrarë nga miliona e miliona ushtarë të këmbësorisë.
"Mendoj se këto takime janë të rëndësishme jo vetëm pasi sjellin vëmendjen e publikut tek sfidat me të cilat përballemi, por pasi na bëjnë të matin progresin e bërë që nga takimi i fundit, të pranojmë hapur problemet në vazhdim, të vlerësojmë zhvillimet e reja pozitive dhe negative dhe të vendosim së bashku çfarë duhet të bëjmë më pas," tha Clinton.
Një ditë më parë, rreth 20 mijë shkencëtarë, zyrtarë të qeverive dhe aktivistë u mblodhën në kryeqytetin meksikan në kuadër të një konference 6-ditore për AIDS-in.
Kur ka kaluar njëçerek shekulli që kur u zbulua për herë të parë sindromi, statistikat e fundit sugjerojnë se numri i personave të infektuar me HIV dhe AIDS në mbarë botë në përgjithësi ka rënë, por në disa vende infektimi është në rritje.
Statistikat tregojnë se në mbarë botën 33 milion vetë janë të infektuar me HIV/AIDS, ndërkohë që kur u zbulua sëmundja e AIDS-it kanë vdekur 25 milion njerëz.
Konferencës 6-ditore i parapriu një marshim ndërgjegjësues, një ekspozitë fotografike dhe evenimente të tjera.
Presidenti Bush kohët e fundit fitoi mbështetje për të trefishuar shpenzimet për të luftuar sëmundjen.
Por në disa vende si Rusia dhe Kina, madje edhe Gjermania dhe Britania shifrat e infektimit janë në rritje.
Në SHBA metoda më të mira diagnostikmi treguan se shifrat ishin nënvlerësuar me të paktën 30 për qind.
Në Afrikë ku janë edhe 70% e rasteve, mundësia për të marrë medikamente është më e madhe, por nuk ka sa duhet punonjës humanitarë për të administruar këto medikamente.
Ka shqetësime për të drejtat e njeriut të personave të sëmurë që shpesh herë janë të frikësuar për të kërkuar mjekime.
(BBC)