Ikën gazetari Gambeta
Vangjush Gambeta ndërroi jetë të hënën në orën 05.30 të 4 gushtit, në shtëpinë e tij në Tiranë. Kishte rënë në gjumë prej 48 orësh dhe nuk u zgjua më. “Ishte vdekje natyrale, në paqe”, tha dje për gazetën i biri, Artan Gambeta. “Im at nuk i donte ceremonitë dhe u varros si gjithë të tjerët, në Sharrë, në të njëjtin varr me të shoqen, Violetën. Kjo ishte dëshira e tij e fundit”. Gambeta 79-vjeçar u tërhoq përfundimisht nga jeta publike në vitin 1993 pasi kontribuoi në themelimin e Partisë Republikane në janar 1991, nënkryetar i saj, dhe njëkohësisht në hapjen e gazetës “Republika” dhe ishte kryeredaktori i saj i parë.
Karriera e vërtetë e Gambetës ekonomist dhe gazetar i talentuar ishte mbyllur rrufeshëm dhe përgjithmonë në vitin 1975, pas valës së goditjevenë ushtri, kulturë dhe arte. “Absurdi me tim at ishte i tillë që i akuzuar si “element antiparti” dhe pa gjyq, ai as u internua, as u dënua, por u dëbua. Dëbimit nuk i dihej kurrë kohëzgjatja. Një ditë të bukur erdhi kamioni dhe mori plaçkat. Jetoi larg nesh për 15 vjet”, thotë fëmija i vetëm që pati Vangjush Gambeta nga martesa 40-vjeçare me Violetën, por me një ndërprerje prej 15 vitesh në mes. U dëbua fillimisht në Xibër dhe më pas në Derjan të Matit, në Burrel. I shkatërruan arkivën personale profesionale, këtij “nxënësi” të Fadil Paçramit në gazetari, Gambetës shtatpakët, ekonomistit të zotë i formuar në Universitetin e Kievit 1948-1952.
Gambeta gazetar në vitet 1956-1975, ishte shef i sektorit ekonomik në gazetën “Zëri i Popullit”, më vonë edhe zv/kryeredaktor i gazetës së Partisë. Paralelisht në këto vite ai ishte pedagog i ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
Se çfarë mendonte ai për gazetarinë dhe gazetarin, e tregojnë radhët e mëposhtme, që marrin shkas nga kujtimet për shtypin e fëminisë, në Korçën e tij ku ishte lindur më 2 mars 1929 dhe ku kishte kryer Gjimnazin më 1947.
“Në fund të viteve tridhjetë unë isha një fëmijë 12-vjeçar. Por nën ndikimin e rrethit familjar dhe të ambientit korçar ku u rrita, fillova që të lexoj gazetat që në moshën 7-8 vjeçare. Me sa duket, kjo ishte mania e zakonshme e fëmijëve për t’u treguar më të rritur se sa janë me të vërtetë. Lexoja Gazetën e Korçës dhe “Botën e re” dhe çdo gjë që më binte në dorë, në kohën kur shokët e mi loznin me ashikë dhe me top prej lecke. Nga ato organe shtypi kishe se ç’të mësoje. Ishte një gazetari e mirëfilltë, e kulturuar, me mendime të përparuara, ku shkruanin intelektualët më të mirë të Korçës dhe jo vetëm të Korçës, një gazetari me polemika dhe kritika për problemet që shqetësonin vendin, me batuta të forta, por pa sharje dhe fyerje personale, me një kujdes për pastërtinë e gjuhës, pa filozofime të panevojshme, pa fjalë dhe shprehje të huaja vend dhe pa vend, që i përdorin me aq bollëk sot disa gazetarë për të treguar erudicionin e tyre. Në vitet e gjimnazit jam marrë me gazetën e Nurit. Kështu filloi karriera ime si gazetar. Por virusi me i fuqishëm që më infektoi gazetarinë ishte rubrika “Një orë në Tiranë” që botonte mjeshtri i gazetarisë Petro Marko përnjëherësh pas çlirimit. Dhe të mos harrojme se shkrimtari i madh Petro Marko ishte gazetar po aq i madh i viteve tridhjetë. Shtypi i viteve tridhjetë çelikosi traditën e shtypit shqiptar, traditë që u dobësua në vitet e monizmit...”
Adhurimin për Petron Markon e ruajti deri në fund, sidomos për “Petron njeri”, nga të paktët njerëz që Gambeta i vlerësonte për ruajtjen të papërlyer të vetes megjithë goditjet çnjerëzore që regjimi i pat bërë familjes Marko. Gazetari kishte bindjen se diktatura e deformoi keq individin shqiptar, bindje që më pas i solli zhgënjimin. “Nuk ka lënë asgjë të shkruar. Shumë herë matej dhe thoshte ose do flas e do bëj sherr ose do them atë që dua. Nuk i pranonte shtrembërimet që i bënin në shtyp ata që kishin marrë përsipër të interpretonin diktaturën. Nga ana tjetër, unë nuk pajtohesha me tolerancën që shfaqte. Mund të them që në një pikëpamje internimi e shkatërroi”,- pëfundon Artani.
Nga viti 1993 Gambeta i përkushtohet përkthimit dhe redaktimit. Janë botuar tashmë përkthimet e tij “Kujtime dhe Meditime” një autobiografi e Zhukovit, “Jeta Ime” e L.D. Trockit, autobiografi dhe “Çlirimi nga KGB” i Vadim Bakatinit. Ka qenë bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor.