HUNGARI – Anulohet takimi diplomatik i nivelit të lartë Szijjarto-Baerbock

BERLIN, 6 korrik /ATSH-DPA/ – Ministria e Jashtme hungareze tha se bisedimet e planifikuara mes ministrit të Jashtëm, Péter Szijjártó dhe kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock, u anuluan për shkak të një “ndryshimi të paparashikuar në axhendën e tij”.
”Ministria e Jashtme hungareze i kërkoi Berlinit që të shtyjë vizitën për një datë të mëvonshme, por ende në kohë”, tha ministria për 444.hu, një faqe hungareze lajmesh.
“Ka vetëm arsye teknike në sfond, jo politike”, thuhet në deklaratë.
Ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock fillimisht ishte planifikuar të udhëtonte në Budapest të hënën, në vizitën e parë të një politikani gjerman në Hungari pas disa kohësh, me ligjvënësit që kishin mbajtur distancën për shkak të politikave pro Moskës dhe jodemokratike të kryeministrit hungarez, Viktor Orbán.
Ajo do ta vizitonte menjëherë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të BE-së më 1 korrik.
Vizita e saj do të bëhej edhe pse ministri i Jashtëm, Szijjártó iu bashkua Orbanit në një udhëtim të papritur në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin të premten, gjë që shkaktoi shqetësim në Evropë dhe SHBA.
Szijjártó ka një marrëdhënie veçanërisht të ngushtë me homologun e tij rus Sergei Lavrov, i cili e nderoi atë me ”Urdhrin Rus të Miqësisë” në 2021.
Orbán tha se takimi i tij me Putinin, i cili po ndjek një pushtim dhe luftë në shkallë të plotë në Ukrainë, ishte një “mision paqeje”.
Ai foli me Putinin në Kremlin për dy orë e gjysmë mes kritikave të forta për vizitën nga zyrtarë dhe udhëheqës të lartë të BE-së.
”Anulimi i vizitës së Baerbock nga Budapesti erdhi në një njoftim të shkurtër të premten në mbrëmje”, tha po atë ditë Ministria e Jashtme e Gjermanisë, duke shtuar se i vjen keq për këtë veprim./ a.jor.