HUNGARI – Mbyllet votimi në zgjedhjet parlamentare, Orban dhe Magyar në garë të ngushtë për pushtetin

BUDAPEST, 12 prill /ATSH/- Me mbylljen e qendrave të votimit në Hungari, janë publikuar dy sondazhe të opinionit publik që sugjerojnë një fitore të madhe për opozitën, e cila mund të sjellë rrëzimin e kryeministrit aktual, Viktor Orban pas 16 vitesh në pushtet, sipas BBC.
Sipas sondazhit të institutit “Median”, partia opozitare “Tisza” e drejtuar nga Peter Magyar ka marrë 57,1% të votave, që do t’i siguronte rreth 135 mandate në parlament, pak mbi shumicën prej dy të tretash (133 vende).
Ndërkohë, një sondazh tjetër i “21 Research Centre” tregoi se “Tisza” ka marrë 55% të votave dhe 132 mandate.
Në të njëjtën kohë, sondazhi i “Median” tregoi se partia e Viktor Orban pritet të marrë 37,1% të votave, ndërsa “21 Research Centre” e vlerëson partinë “Fidesz” në rreth 38%.
Por, ka edhe sondazhe të tjera – dhe “Alapjogokért” ka publikuar kërkimin e tij këtë mbrëmje, duke sugjeruar se Orban po shkon drejt fitores, në vend të rivalit të tij.
Sipas sondazhit të “Alapjogokért”, partia në pushtet “Fidesz” pritet të marrë 44,5% të votave ndërsa partia opozitare “Tisza”42%.
Këto sondazhe nuk janë rezultatet e zgjedhjeve dhe janë bazuar në të dhëna të mbledhura deri më 11 prill, përfshirë edhe ditët para votimit.
Ato gjithashtu nuk pasqyrojnë votuesit që kanë votuar gjatë ditës së zgjedhjeve.
Nëse sondazhet konfirmohen, këto rezultate do të nënkuptonin largimin e Viktor Orban nga pushteti pas 16 vitesh.
Magyar, “optimist, por i kujdesshëm”
Kandidati opozitar Peter Magyar, i cili synon të bëhet kryeministër, mbajti një konferencë për shtyp duke i quajtur zgjedhjet e sotme – një ditë “historike”.
Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen rekord në votime dhe për rëndësinë që i kanë dhënë procesit zgjedhor.
Peter Magyar u shpreh se është “optimist, por i kujdesshëm” pas publikimit të sondazheve që e nxorrën atë fitues.
Autoritetet dhe analistët theksojnë se rezultatet e publikuara duhen trajtuar me kujdes, pasi nuk janë rezultate të votimit dhe nuk pasqyrojnë plotësisht votën e ditës së zgjedhjeve.
Gjithashtu, sondazhe të mëparshme të të njëjtave institucione kanë parashikuar një diferencë të madhe në favor të partisë opozitare “Tisza”.
Numërimi i votave sapo ka nisur dhe rezultati përfundimtar pritet të japë një pasqyrë të qartë mbi vullnetin e votuesve hungarezë, në zgjedhjet me pjesëmarrje rekord dhe rëndësi të lartë politike.
Zgjedhjet në Hungari u zhvilluan mes një gare të fortë politike, ku Orban kërkon të ruajë pushtetin për një mandat të pestë radhazi, ndërsa Magyar premton orientim më të fortë drejt Bashkimit Evropian dhe ndryshime të reformave të qeverisë Orban. //a.i/