HUNGARI – Ministria e Jashtme kritikon Rusinë për sulmet me dronë në Ukrainë

BUDAPEST, 14 maj /ATSH-DPA/- Ministrja e re e Jashtme e Hungarisë, Anita Orbán ka kritikuar sot Rusinë, për sulmet e fundit me dronë në rajonin perëndimor ukrainas të Transkarpatisë.
Politikania e “Partisë Tisza”, e qendrës së djathtë, njoftoi në faqen e saj në Facebook se kishte thirrur ambasadorin rus në Budapest dhe i kishte bërë të ditur se qeveria hungareze i dënon në termat më të ashpër këto sulme.
“Ne presim që Rusia të ndalojë menjëherë agresionin kundër civilëve”, shtoi Orbán.
Ministrja, e cila nuk ka lidhje familjare me ish-kryeministrin Viktor Orbán, mori detyrën të martën.
Pas fitores së “Partisë Tisza” në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Asambleja Kombëtare zgjodhi liderin e saj, Péter Magyar si kryeministër të shtunën e kaluar.
Hungaria kufizohet në lindje me rajonin ukrainas të Transkarpatisë. Sipas burimeve hungareze, aty jetojnë deri në 100 000 etnikë hungarezë.
Ish-kryeministri Viktor Orbán, i krahut të djathtë populist, mund të ketë kritikuar rrallë Rusinë, edhe pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Ai dhe ministri i tij i Jashtëm, Péter Szijjártó kanë mbajtur një marrëdhënie herë pas here të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov. //a.i/