E Hënë, 2 Nëntor 2026

HUNGARI – Orban u bën thirrje mbështetësve të kundërshtojnë “tiraninë” e qeverisë së re

BUDAPEST, 22 korrik /ATSH/- Ish-kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orbán, i cili humbi pushtetin pas 16 vitesh në zgjedhjet e prillit, u bëri thirrje mbështetësve të tij të “rikthejnë demokracinë”, duke akuzuar qeverinë e re të kryeministrit, Peter Magyar se e ka shndërruar vendin në një shtet jodemokratik, sipas “Reuters”.

Në deklaratën e tij të parë të fortë politike pas humbjes në zgjedhje, Orban publikoi në “Facebook” një “Deklaratë të Rezistencës”, pasi prokuroria kreu kontrolle, në zyrat ku ndodheshin serverët e partisë së tij, “Fidesz”.

Sipas prokurorisë, kontrolli lidhet me një hetim për shpërdorim fondesh dhe vepra të tjera penale në Fondin Kombëtar të Kulturës gjatë qeverisjes së Orban.

Ai i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar kontrollet, si të motivuara politikisht dhe me synimin për të penguar funksionimin e “Fidesz”.

Orban kritikoi gjithashtu ndryshimet kushtetuese të miratuara nga qeveria e re, të cilat i dhanë fund mandatit të presidentit dhe kreut të Gjykatës Kushtetuese, duke i cilësuar ato si prova se demokracia është dëmtuar.

Nga ana tjetër, partia “Tisza” e Peter Magyar i ka mohuar akuzat për autoritarizëm dhe deklaroi se synon të luftojë korrupsionin e trashëguar nga qeverisja e Orban dhe ta afrojë Hungarinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Sondazhet tregojnë se partia “Tisza” gëzon rreth 60% mbështetje, ndërsa “Fidesz” ka rënë në 18%, duke hyrë në një periudhë krizash të brendshme pas humbjes së zgjedhjeve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›