E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: FA më e mirëpaguara në rajon, arrijmë mesataren e forcave të NATO-s në 2030

TIRANË, 22 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka Forcat e Armatosura më të mirëpaguara të rajonit, ndërsa siguroi se “ambicia është që në Shqipërinë 2030 Forcat e Armatosura të jenë të paguara sa mesatarja e forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në cermoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se FA është futur tashmë në rrugën e transformimit bashkëkohor sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe vlerave euroatlantike.

Ndërkohë, Rama kujtoi kohën kur FA mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni, nga përkushtimi, nga këmbëngulja dhe nga edukata ushtarake e atyre që ishin përfaqësues të këtyre forcave.

“Ishin më të keqpaguarit në rajonin tonë dhe kishin në dispozicion një buxhet qesharak për atë që duhet të ishte buxheti i një force të NATO-s dhe nuk kishin asnjë perspektivë përpara për se si gjërat do ndryshoheshin”, tha Rama.

Duke iu referuar ceremonisë së diplomimit të 67 oficerëve të rinj, Rama tha se “sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura”.

“Është një ditë krenarie pa diskutim për trupën pedagogjike të Akademisë dhe është një ditë krenarie edhe për Shtabin e Përgjithshëm. E kam të pamundur që të mos kujtoj se nga çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i Forcave tona të Armatosura”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri theksoi se sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura dhe të motivuara nga vëmendja dhe respekti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›